Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha është ndalur sot në Novosej dhe Shishtavec, dy zonat e njohura për kultivimin e patates.
Basha ka takuar fermerët e zonës dhe ka dëgjuar hallet e tyre. Fermerët i thanë zotit Basha se jetojnë me shumë vështirësi, rinia ka ikur e gjitha në emigracion, ndërsa prodhimet e patates janë detyruar t’i groposin se s’ka treg shitje mjaftueshëm për prodhimet e tyre.
“Këto vitet e fundit këtu, po të vësh re edhe njerëzit që janë këtu të pranishëm, është fenomen mjaft i madh i emigracionit. Duke qenë se njerëzit janë tërë kohën nuk kanë parë asnjë dritë jeshile, pjesa më e madhe kanë emigruar. Këtu pothuajse kanë ngelur më shumë pleq edhe plaka. Nuk e di, domethënë ne kemi qenë të varfër gjithmonë këtu po kemi qenë me shpresë, tani vazhdojmë të jemi të varfër por fatkeqësisht nuk kemi as shpresë”, – tha një prej banorëve në fshatin Novosej.
Kryetari Basha duke dëgjuar problematikat e shumta e quajti mëkat mënyrën sesi është trajtuar kjo zonë nga shteti, duke hedhur akuza për një braktisje të tyre.
“Është mëkat që një zonë me kaq shumë traditë ku prodhimet tuaja kanë bërë emër në Shqipëri dhe në të gjithë rajonin ta gjej në një varfëri të tillë. Është mëkat i dyfishtë që në një kohë kur njerëzit po vuajnë për ushqimet bazë ne nuk arrijmë të garantojmë shitjen e patates tuaj dhe nuk arrijmë të lajmë as shpenzimet që ju keni hedhur për ta rritur këtë patate. Shqipëria po mbytet me prodhime të subvencionuara të fermerëve të huaj”, u shpreh Basha.