Joe Biden thotë se amerikanët nuk do të detyrohen të bëjnë vaksinën kundër koronavirusit, kur të bëhet e disponueshme në SHBA.
Kjo deklaratë vjen në një kohë kur Qendrat për Kontrollin e Sëmundjeve (CDC) për herë të parë nxitën “përdorimin e maskës në të gjitha ambientet e mbyllura” përveçse në shtëpi.
CDC tha që SHBA-të “kishin hyrë në një fazë të transmetimit të nivelit të lartë” të virusit, shkruan BBC.
Biden i cili pritet të marrë detyrën më 20 janar, tha gjithashtu se ai priste që inaugurimi i tij të zhvillohej pa turma të mëdha për shkak të shqetësimeve të koronavirusit.
“Supozimi im është se do të ketë akoma një ceremoni platforme, por nuk e di se si do të funksionojë e gjitha.”– tha ai, citon BBC.
Cila është politika e Biden për vaksinat?
Duke folur në Delaware, presidenti i zgjedhur Joe Biden tha se nuk do të ishte e nevojshme të bëhej e detyrueshme vaksina e koronavirusit.
“Unë nuk mendoj se duhet të jetë e detyrueshme. Unë nuk do të kërkoja që të ishte e detyrueshme. Ashtu siç nuk mendoj se maskat duhet të bëhen të detyrueshme në të gjithë vendin”, tha Biden, citon The Hill. Megjithatë ai shtoi se do t’i inkurajojë amerikanët të bëjnë gjënë e duhur.
“Unë do të bëj gjithçka që kam në dorë si president për të inkurajuar njerëzit të bëjnë gjënë e duhur dhe kur ta bëjnë, të demonstroj se ka rëndësi”, shtoi ai.
Kompania “Pfizer”, e cila thotë se vaksina e saj është e efektshme në 95%, dhe kompania tjetër Moderna që thotë se vaksina e saj është 94% efektive, të dyja kanë aplikuar në Administratën e Ushqimit dhe Barnave për të shpërndarë dozat e tyre në SHBA.
Mbretëria e Bashkuar të mërkurën u bë vendi i parë në botë që miratoi vaksinën e “Pfizer”.
Më herët të premten, zv.presidenti amerikan Mike Pence tha se miratimi federal për një vaksinë Covid-19 mund të jetë larg vetëm “një javë e gjysmë”.