“Diego nuk e mendonte vdekjen, ai kurrë nuk foli për të. Dhe ishte akoma i dashuruar me mua”. Kështu i kujton ditët e fundit të legjendës së futbollit Rocìo Oliva, e dashura e fundit e Maradonës, në katër ose pesë intervistat e fundit të dhëna vetëm këtë javë. Në telenovelën që pasoi vdekjen e yllit të futbollit, Rocio luan rol kryesor. Për këtë i ka të gjitha: bionde, seksi, nuk i mungojnë fjalët, tridhjetë vjet më e re se ish-kampioni me të cilin kishte një lidhje nga 2012 në 2018, një fëmijëri e vështirë me një baba të vrarë, një karrierë si futbolliste para se të bëhej fytyrë e shoubizit.
Sidoqoftë, shumica e gjysmë milion ndjekësve në profilin e saj në Instagram janë shtuar vetëm javën e fundit, kur ajo u bë një figurë globale. Ishte fillimisht incidenti jashtë shtëpisë ku po zhvillohej ceremonia mortore e futbollistit, ku asaj iu ndalua hyrja nga Claudia Villafane, e cila e kërcënoi se “do të ma paguash” para kamerave. Më pas erdhi një seri intervistash pak a shumë ekskluzive, ku qëllimi duket se është i njëjtë: të hidhen akuza dhe dyshime mbi ata që në 2018, pasi u nda me Diegon, e nxorën jashtë klanit.
Duke mos qenë e martuar me Maradonën dhe duke mos pasur të drejtë të kërkojë një pjesë të ligjshme të trashëgimisë, asaj nuk i mbetet gjë tjetër veçse të shfrytëzojë popullaritetin.
Lufta për pasurinë që la pas Maradona ka filluar. Ajo premton të jetë shumë e ashpër dhe me një listë të gjatë pretendentësh. “Torta” vlen 70 milion dollarë, të gjithë duan një copë, kështu që procesi do të jetë i gjatë. Kjo edhe sepse misteret janë të shumta.
Një nga misteret kryesore daton në vendimin e Maradonës për të hequr ish-gruan e tij Claudia dhe vajzat Dalma dhe Giannina nga testamenti, kur zbuloi se i munonin gjashtë milionë dollarë përveç zhdukjes së 458 relikteve, mes tyre medalje dhe bluza. Çështja civile për këtë është ende e hapur.
“Claudia ishte e përjashtuar nga trashëgimia“, tha avokati i ish-gruas së saj, Elba Marcovecchio, duke shpjeguar se Villafane humbi të drejtën e trashëgimisë në 2004 kur u divorcua nga Diego. “Fëmijët do të trashëgojnë pjesë të barabarta”, shtoi avokati.
Dalma dhe Giannina pretendojnë pjesën e tyre legjitime, pastaj Diego jr, Jana dhe Diego Fernando. Po të tjerët? Nëse llogariten katër kubanë dhe të paktën dy argjentinas që pretendojnë të jenë edhe fëmijët e Maradonës, numri arrin në 11, sa një ekip futbolli. Sidoqoftë, për të pasur një pjesë të pasurisë, ata duhet fillimisht t’i nënshtrohen testit të ADN-së, që mund të kërkojë edhe zhvarrimin e Maradonës. Siç duken gjërat, kjo do të jetë një telenovelë me shumë pjesë!