Presidenti amerikan Donald Trump mohon fitoren e Biden, ndërsa thotë se ka fituar zgjedhjet dhe thërret në ndihmë Gjykatën e Lartë ku ka shumicën
Presidenti i SHBA Donald Trump ka mbajtur tubimin e tij të parë në Xhorxhia, pas humbjes në zgjedhjet presidenciale të 3 Nëntorit. Përpara mbështetësve të tij, Trump i kërkoi guvernatorit republikan Brian Kemp të mbajë një seancë të posaçme të legjislaturës së shtetit në mënyrë që ligjvënësit të përmbysnin rezultatet e votimit në Georgia.
Mbështetësit e presidentit mbanin në duar pankarta dhe brohorisnin “Bëni Amerikën përsëri të Madhe”, “Stop vjedhjes” dhe “Katër vjet më shumë”.
Akuzat për vjedhjen e zgjedhjeve
Trump, i cili sipas një burimi i ishte referuar privatisht Guvernatorit të Xhorxhias, Brian Kemp Kemp si “një mashtrues” lidhur me mënyrën se si ai i kishte menaxhuar çështjet e votimit në atë shtet, bëri presion ndaj guvernatorit me një postim në Twitter dhe një telefonatë të shtunën që të ndërmerrte hapa në favor të kandidaturës së tij.
“Do të fitoj me lehtësi & shpejt në Xhorxhia nëse Guvernatori @BrianKempGA ose Sekretari i Shtetit lejojnë një verifikim të thjeshtë të firmave. Nuk është bërë dhe do të tregojë mospërputhje në shkallë të gjerë. Pse këta dy republikanë “po thonë jo?” shkruante Presidenti Trump në Twitter.
Kemp u përgjigj në Twitter se ai kishte folur me Trump për shqetësimet e tij. “Siç i thashë Presidentit këtë mëngjes, unë kam bërë thirrje publike për një rishikim të nënshkrimeve tre herë”, tha ai.
“The Donald”, replikoi më tej ashpër Kemp: “Duhet t’i vijë turp”. Por Trump nuk tërhiqet dhe tha: “Kemi fituar zgjedhjet dhe mendoj së kjo çështje do të përfundojë në Gjykatën e Lartë”. E përsërit dy herë, në fillim dhe në fund të monologut: “Gjykata e Lartë duhet të shpëtojë zgjedhjet dhe duhet të shpëtojë Amerikën”.
Mes nëntë anëtarëve të organit më të lartë gjyqësor, gjashtë, pra mazhoranca janë me orientim konservator dhe tre janë përzgjedhur direkt nga Trump.
Gazeta Washington Post tha se Trump e kishte nxitur zotin Kemp të thërriste një seancë të posaçme të legjislaturës shtetërore në mënyrë që ligjvënësit të përmbysnin rezultatet e votimit në Xhorxhia dhe të caktonin elektorë të Kolegjit Zgjedhor zgjedhës që do ta mbështesnin atë. Shtëpia e Bardhë nuk pranoi të komentojë.
Zgjedhjet në Xhorxhia
Partisë Republikane i duhet një vend më shumë për të ruajtur shumicën në Senat. Senatori republikan David Perdue duhet të mposhtë rivalin e tij demokrat Jon Ossoff në balotazhin e 5 janarit në Xhorxhia, ndërsa senatorja republikane Kelly Loeffler duhet të kapërcejë një sfidë të fortë nga rivali i saj demokrat Raphael Warnock në të njëjtin shtet. Nëse republikanët humbin, duke rezultuar në një ndarje të barabartë të vendeve në Senat 50-50, Nënpresidentja demokrate e zgjedhur Kamala Harris do bllokonte ngërçin me votën e saj.
Disa republikanë janë të shqetësuar se paraqitja e Presidentit Trump në Xhorxhia, megjithatë, mund të dekurajojë pjesëmarrjen e votuesve në balotazh.
“Komentet e Presidentit Trump po dëmtojnë imazhin e Partisë Republikane”, tha donatori republikan Dan Eberhart për agjencinë e lajmeve Associated Press. Ai tha se Trump po “vepron me sportivitet të keq dhe keqbesim” në vend që të punojë për të ruajtur kontrollin e republikanëve në Senat.
Por një këshilltar i lartë i udhëheqësit republikan të Senatit Mitch McConnell, Josh Holmes, i tha agjencisë së lajmeve Associated Press se republikanët “nuk kanë parë ndonjë provë për mungesë të entuziazmit në garat e Senatit”.
Biden tha se ai do të udhëtonte në Xhorxhia për të bërë fushatë për kandidatët demokratë por nuk bëri të ditur një datë të caktuar.
Elektorët presidencialë takohen në secilin shtet më 14 dhjetor për të hedhur votat e tyre. Më 6 janar, Kongresi i sapo zgjedhur do të numërojë zyrtarisht votat elektorale dhe do të emërojë zyrtarisht presidentin.