Ylli botëror i pop-it, këngëtarja me origjinë shqiptare, Rita Ora, po përballet me kritika të shumta për thyerje të rregullave anticovid.
Këngëtarja 30-vjeçare fluturoi me avion privat në Kajro më 21 nëntor, aty ku performoi në një hotel ku i pranishëm ishte edhe Presidenti egjiptian Abdul Fattah al-Sisi, shkruan Daily Mail.
Një ditë më pas, ajo u kthye në Angli dhe në bazë të rregullave kundër koronavirusit duhet të qëndronte 14 ditë në karantinë, por nuk ndodhi kështu. Më 28 nëntor, ajo organizoi një festë ditëlindjeje në një restorant në Londër.
Rita Ora kërkoi falje javën e kaluar, pasi ajo dhe rreth 30 të ftuar të tjerë, përfshirë dhe modelen Cara Delevingne u fotografuan në këtë event. Rita u shpreh se do të paguante edhe një gjobë prej 10 mijë paundësh për organizimin e paligjshëm, por nuk përmendi që kishte udhëtuar në Egjipt.
Daily Mail shkruan se mbrëmjen e së shtunës, Rita Ora kërkoi sërish ndjesë dhe theksoi se do të dhuronte para nga eventi i mbajtur. Rita pranoi se kishte udhëtuar në Egjipt, ku kishte mbajtur një koncert për një kompani private, por nuk kishte qenë në dijeni se i pranishëm ishte edhe Presidenti i Egjiptit.