Bota “Turqia nuk do të përkulet para kërcënimeve në Mesdhe. BE të mos...

“Turqia nuk do të përkulet para kërcënimeve në Mesdhe. BE të mos përdoret si kokë dashi”

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan deklaroi sot se Turqia nuk do të përkulet ndaj kërcënimeve për mosmarrëveshjen me Greqinë dhe Qipron rreth pretendimeve detare në Mesdheun Lindor, ndërsa ministrat e jashtëm të Bashkimit Evropian u takuan në Bruksel për të diskutuar mbi këtë çështje.

Por Erdogan u shpreh gjithashtu se Turqia donte negociata mbi pretendimet kontradiktore për shelfin kontinental dhe të drejtat për burimet e mundshme të energjisë.

Ministrat e BE do të vlerësonin bazat për sanksione kundër Turqisë. Drejtuesit e bllokut do të vendosin sot për kërcënimin e tyre, pasi Turqia dërgoi një anije kërkimi në ujërat e pretenduara nga Greqia.

“Në çështjen e Mesdheut Lindor, vendi ynë kurrë nuk përballet me tensionin, por me paqen, bashkëpunimin, ndershmërinë dhe zbatimin e drejtësisë. Rruga për këto shkon përmes negociatave të bazuara në respekt të ndërsjellë”, tha Erdogan, duke përsëritur një thirrje për një konferencë që përfshin të gjithë aktorët në rajon.

Sidoqoftë, Turqia nuk do të lejojë një “mentalitet pirat” të shfaqur nga vendet e tjera për ta kufizuar atë në një brez të ngushtë të ujrave bregdetare.

 “Nuk do t’i pranojmë planet dhe hartat që kanë si qëllim ta burgosin shtetin tonë në brigjet e Antalias. Nuk do ta ulim kokën përpara kërcënimeve dhe shantazheve. Nuk do të lejojmë që të vendosin imperialistët”.

Bashkimin Europian e quajti si kukull të Greqisë.

“Bashkimi Europian duhet të shpëtojë nga strategjia e varësisë. Nuk duhet të lejojë që të përdoret si kokë dashi nga grekët dhe qipriotët e krishterë. Duhet t’i thotë mjaft padrejtësisë që i bëhet Turqisë dhe Qipros turke”.

Tensionet u ndezën në gusht, kur Ankara dërgoi një anije studimi për të përshkruar perspektivat e shpimit të energjisë në ujërat e pretenduara gjithashtu nga Greqia. Ankaraja dhe Athina ranë dakord të rinisnin bisedimet mbi pretendimet e tyre kontestuese detare në shtator, duke i dhënë fund një ndërprerjeje 4-vjeçare.