Sport Pjanic: Juven e kam në zemër, nuk e di pse po luaj...

Pjanic: Juven e kam në zemër, nuk e di pse po luaj pak te Barcelona

Mesfushori i Barcelonës, Miralem Pjanic, nuk e fsheh aspak faktin se nuk është i lumtur me minutat e dhëna nga trajneri Koeman. Në një intervistë për “Gazzetta della Sport”, 30-vjeçari shprehet se nuk është i kënaqur dhe kërkon të luajë më shumë. Lojtari e pranon se i mungon Juvja, por në duelin me ish-skuadrën e tij do të fitojnë katalanasit.

“Sinqerisht nuk e kuptoj arsyen e kësaj situate. Unë dua të luaj më shumë dhe e di që mund të jap më tepër se kaq. Jam gjithmonë gati për trajnerin. Kam zhvilluar disa ndeshje të mira dhe nuk e di se çfarë mund të bëj më shumë se kaq. Nuk jam i kënaqur dhe nuk kam sesi. Gjatë karrierës sime nuk e kam pranuar kurrë idenë për të mos luajtur dhe nuk e pranoj as tani. Është një situatë delikate që nuk më përshtatet mua”, deklaron boshnjaku.

“Periudha në Itali? Kam kaluar shumë mirë si te Roma, ashtu te Juventus. Mund ta krahasoj atë kohë si një magji. Më ka marrë malli. Isha unë ai që e kërkova këtë sfidë për të luajtur te Barcelona dhe dua t’ia dal edhe këtu. Përballja me Juven nesër? Ato ngjyra kanë ngelur në zemrën time dhe i ndjek shokët e mi sa herë që kam mundësi. I uroj më të mirën Juves, por nesër duam të fitojmë ne”, përfundon Pjanic.