Zbardhet dëshmia e Luftar Reçit të penduarit që ka hedhur dritë dhe ka rihapur hetimet për dy vrasje të bujshme që kanë tronditur vendin vite më parë, atë të Vajdin Lamajt dhe Klodjan Saliut, për të cilat SPAK akuzon si të përfshirë Emiljano Shullazin, Lul Berishën dhe bandat e tyre.
Në dëshminë e tij Reçi ka treguar takimin që ka bërë me Lul Berishën në kazinonë e tij në stacionin e Trenit në Tiranë, në të cilin ky i fundit i ka ofruar një marrëveshje sipas së cilës i penduari duhej të vriste shtetasin Klodian Saliu që në këmbim Berisha ti vriste hasmin.
“Në fillim të shkurtit kam takuar në Tiranë Lul Berishën. Takimi u realizua ne vendin e quajtur stacioni i trenit ne Tiranë, vend ku unë kisha një kazino timen. Gjatë takimit Luli më ofroi një marrëveshje sipas së cilës unë duhej të vrisja shtetasin Klodian Saliu dhe ai në këmbim do të vriste hasmin tim. Ata më thanë se Klodian Saliu e kishte kundërshtuar dhe kishin frike se mos i vriste”, ka dëshmuar Luftëtar Reçi.
Reçi ka treguar hap pas hapi çfarë ka ndodhur ditën e ekzekutimit të Klodian Salihut. Ai thotë se ka qenë Indrit Taullai ai që ka qëlluar viktimën me tre plumba pistolete dhe ka paralajmëruar shoferin që ishte me të se nëse do të jetojë duhet të mbyllë gojën për atë që ka parë.
“Ne u bëmë menjëherë gati dhe ishim ulur në këtë mënyrë. Unë isha shofer, Indrit ishte ulur në vendin e parë të pasagjerit ndërsa Lenti ishte ulur pas Indritit. Pasi kaloi Benzi në fjalë unë ndeza makinën dhe u nisëm në ndjekje të makinës ku ishte Klodi. E arritëm shpejt por nuk e parakalonim dot për shkak të makinave të tjera. Diku mes Vorës dhe Durrësit i jemi afruar paralel me automjetin që drejtonte Klodi dhe nga dritarja e BMW-së kanë qëlluar me armë në drejtim të Klodit, Indriti me pistoletë dhe Lenti me skorpions. Kemi ecur paralel rreth 10 sekonda, kohë gjatë së cilës automjeti i Klodit ka humbur kontrollin duke përfunduar në kanal. Pasi makina e tij përfundoi në kanal Indrit bërtiti me të madhe “mbaje o lal”. Hapa krahun, Indrit i është afruar Benzit dhe ka qëlluar Klodin tre herë me pistoletën me mulli. Indrit i ka thënë pasagjerit se nëse donte të shpëtonte të mbyllte gojën”, ka deklaruar ai.
Një tjetër pikë e fortë në këtë dëshmi është kur tregon se si Lul Berisha i ka kërkuar Luftar Reçit, në shkurt të vitit 2005, që ti gjejë kallëpe tritoli për vrasjen e Vajdin Lamajt, në ashensor në banesën e tij. Bombën siç tregon ai e ka përgatitur bashkë me Indrit Taullain, i cili i ka thënë se bomba duhej për të shpërthyer një makinë.
“Kam pasur lidhje shoqërore ne Lul Berishën, Indrit Taulla, Lenti (Plarent Dervishi). Berishën e kam njohur në 1994, ndërsa Plarent Dervishin dhe Indrit Taullain i kam njohur vonë sepse ishte njohje dhe miqësi e ngushtë e Lulëzim Berishës. Kujtoj se ka qenë muaji shkurti vitit 2005, besoj nga mesi i muajit, më ka telefonuar nga numri i tij celular te numri im celular shtetasi Lulzim Berisha.
Luli më tha më gjej mua nga ato të “nëntat” (që ishin kallëpe tritoli) ku bëhej fjalë për një atentat të përgatitur nga unë për hasmit e mi në Dibër, atentat i parealizuar nga unë për arsye se hasmi im mbante me vete fëmijët e tij dhe unë nuk lejova shpërthimin sepse nuk doja të vrsija fëmijët. Luli ishte në dijeni të kësaj ngjarje se më kishte treguar vetë dhe kishte mësuar nga unë se J… më kishte përgatitu minat për ngjarjen e Dibrës dhe për këtë arsye më kërkoi një minë për veten e tij. Për të përgatitur minat me telekomandë më ka ndihmuar nipi im që quhet.,.. i cili është vrarë në vitin 2002″, shton ai në dëshminë e tij.
Bombën me të cilën është kryer vrasja e Vajdin Lamajt, Reçi thotë se ia ka dorëzuar Emiljano Shullazit. Pasi ka marrë vesh nga mediet se u vra Vajdin Lame me shpërthim, ka telefonuar Lul Berishën i cili i ka thënë se ishte në Turqi dhe kjo ishte punë Indritit. Prandaj hetimi për këto vrasje është bashkuar në një të vetëm, sepse Lul Berisha dhe Emiljano Shullazi dhe bandat e tyre akuzohen se kanë bashkëpunuar për vrasjen Vajdin Lamajt dhe Artan Arsit në ashensor në banesën e tij.
“Bombën me telekomandë që përgatitem ia dorëzuam Emiljano Shullazit”, ka shtuar ai më tej, duke treguar kështu dhe bashkëpunimin mes Berishës dhe Shullazit në vrasjen e Vajdin Lamajt.
Ndërkaq ai ka treguar se Viktor Ymeri, i cili është një tjetër i arrestuar, i ka thënë se për vrasjen e Vajdin Lamajt e ka gjetur ai njeriun nga burgu dhe jo banda e Emiljano Shullazit.
“Viktori më tha se edhe kur u vra Vajdini, unë nga burgu i gjeta njeriun që e mbaroi punën e vrasjes së Vajdinit se ata nuk ia kanë haberin dhe dinë vetëm me u hap bythësh (për bandën e SHullazit)”, ka thënë ai.
Hetimet për këto dy ngjarje ishin pezulluar për moszbulim të autorëve, por më pas, pas dëshmisë së të penduarit është bërë e mundur zbardhja e vrasjes së Klodjan Saliut, Vajdin Lamajt, ku vdiq dhe miku i tij Artan Arsi. SPAK ka rifilluar hetimet dhe ka vendosur bashkimin e tyre në një procedim të vetëm. Ndërkohë Lul Berisha akuzohet gjithashtu dhe për vrasjen e Klodjan Saliut dhe Osman Truma. Ngjarjet e rënda kanë ndodhur në datat 26 shkurt dhe 27 shkurt të vitit 2005, pa kaluar as 24 orë.
Lul Berisha dhe Plarent Dervishaj (kunati i Berishës) aktualisht janë shpallur në kërkim ndërkombëtar, ndërsa Indrit Taullai, Luftar Reçi (i penduar), Viktor Ymeri dhe Emiljano Shullazi janë arrestuar. Ndërkohë është urdhëruar ndalimi për Indrit Rusin.