Aktualitet “Mburravecë, gjobaxhinj dhe të paaftë”, mendimi i Viktor Ymerit për Shullazin dhe...

“Mburravecë, gjobaxhinj dhe të paaftë”, mendimi i Viktor Ymerit për Shullazin dhe grupin e tij

Është zbardhur dëshmia e Luftar Reçit, të penduarin e drejtësisë, i cili bëri që të rihapet dosja e bujshme e vrasjeve mafioze ne vitin 2005. Para hetuesve, Reçi ka treguar momentin e takimit me Lulzim Berishën dhe marrëveshjen mes tyre për vrasjen e Klodian Saliut.

“Në fillim të Shkurtit kam takuar në Tiranë, Lul Berishën. Takimi u realizua në vendin e quajtur ‘Stacioni i Trenit, në Tiranë, vend ku unë kisha një kazino timen. Gjatë takimit, Luli më ofroi një marrëveshje sipas së cilës unë duhej të vrisja Klodian Saliu dhe ai në këmbim do të vriste hasmin tim. Ata më thanë se Klodian Saliu e kishte kundërshtuar dhe kishin frikë se mos i vriste”.

Në rrëfimin para hetuesve, Luftar Reçi ka treguar se si Lulzim Berisha i ka kërkuar që t’i sigurojë një sasi tritoli Emiljano Shullazit, me qëllim vrasjen e Vajdin Lamajt.

“Kujtoj se ka qenë muaji Shkurti i vitit 2005. Më ka telefonuar nga numri i tij celular te numri im Lulzim Berisha. Luli më tha më gjej mua nga ato të “nëntat” (që ishin kallëpe tritoli) ku bëhej fjalë për një atentat të përgatitur nga unë për hasmit e mi në Dibër. Atentat i parealizuar nga unë për arsye se hasmi im mbante me vete fëmijët e tij dhe unë nuk lejova shpërthimin sepse nuk doja të vrisja fëmijët. Bombën me telekomandë që përgatitëm ia dorëzuam Emiljano Shullazit”.

Luftar Reçi tregon edhe mënyrën se si është përfshirë në këtë ngjarje Viktor Ymeri, ose Tori, siç e thërrisnin shkurt ata.

Sipas rrëfimit të dëshmitarit të penduar të drejtësisë, tetë vite nga vrasja e Lamajt, Ymeri, i lindur në Vlorë i ka treguar jo vetëm përfshirjen e tij në këtë vrasje, por edhe se çfarë mendonte për Emiljano Shullazin.

Ymeri, sipas dëshmisë së Luftar Reçit, i konsideronte “mendjemëdhenj, të paaftë dhe gobaxhinj”.

“Viktor Ymeri më ka thënë brenda burgut me mburrje se ata, duke iu referuar Emiljano Shullazit me njerëzit e tij, dinë vetëm të hapen by…sh me makina e k..va duke ju vënë gjoba njerëzve se nuk kanë zgjuarsi tjetër. Viktori më tha se “edhe kur u vra Vajdini, unë nga burgu i gjeta njeriun që e mbaroi punën e vrasjes së Vajdinit, se ata nuk ja kanë haberin dhe dinë vetëm me u hapë by…sh”.

Ky rrëfim i Viktor Ymerit, sipas të penduarit të drejtësisë, është bërë në Burgun e Peqinit, ku dëshmitari dhe Ymeri po vuanin dënimet përkatëse.