Bota Merkel kërkon ashpërsimin e kufizimeve për Krishtlindje: Po jetojmë në rrethana të...

Merkel kërkon ashpërsimin e kufizimeve për Krishtlindje: Po jetojmë në rrethana të jashtëzakonshme

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, mbështeti thirrjet për masa më strikte për frenimin e përhapjes së koronavirusit gjatë periudhës së Krishtlindjeve.

Ajo u tha ligjvënësve në Bundestag se bilanci i viktimave është i papranueshëm. Gjatë adresimit, Merkel sugjeroi se distancimi social nuk po respektohet siç duhet pasi niveli i kontakteve mes njerëzve është tepër i lartë.

“Po jetojmë në një pandemi dhe kjo do të thotë se po jetojmë në rrethana të jashtëzakonshme. Jemi në një situatë ku përjetojmë sfida, me të cilat Gjermania nuk është përballuar ndonjëherë më përpara. Duhet t’u përgjigjemi këtyre rrethanave të jashtëzakonshme me masa të jashtëzakonshme”, tha Merkel.

Merkel tha se dakordësohet me rekomandimet për mbylljen e dyqaneve pas Krishtlindjeve dhe kundërshtoi hapjen e hoteleve, në mënyrë që familjet të vizitojnë njëra-tjetrën gjatë periudhës së festave.

“Dëshiroj të them këtë: nëse ne do të kemi shumë kontakte gjatë Krishtlindjeve dhe më pas të na rezultojë që ato ishin Krishtlindjet e fundit me gjyshërit, atëherë kjo do të thotë se ne e kemi dreqosur dhe nuk duhet ta bëjmë këtë.”

Kancelarja u shpreh me tone pozitive sa i përket vaksinimit duke thënë se “ka dritë në fund të tunelit”. Megjithatë, ajo paralajmëroi një dimër të vështirë dhe pohoi se në 3-mujorin e parë të 2021 nuk do të ndihet shumë impakti i fushatës së imunizimit në masë të popullatës.