Qindra qytetarë kanë dalë sot në protestë për vrasjen e të riut Klodian Rasha, i cili u qëllua për vdekje nga një efektiv i forcave Shqiponja.
Protesta nisi te Ministria e Brendshme, ku qytetarët kanë kërkuar dorëheqjen e ministrit Sandër Lleshaj. Ata kanë bërë thirrje “Poshtë diktatura”, “Unë jam Klodiani”, “Drejtësi për Klodianin”, “Lleshaj dorëhiqu” etj.
Qytetarët po ashtu janë përplasur me efektivët e policisë të cilët kishin krijuar një kordon për të mbrojtur godinën e Ministrisë së Brendshme.
Më pas protesta ka vijuar te Kryeministria, por dhe aty ka pasur disa përplasje me efektivët. Qytetarët kanë qëlluar me sende të forta drejt godinës dhe kanë shkatërruar bredhin e festave të vendosur në oborrin e godinës.
Një grupim i vogël ushtroi dhunë ndaj policisë, e cila pas përshkallëzimit të situatës përdori dhe gazin lotsjellës.
Në fund bilanci i protestës regjistroi disa persona të lënduar mes policisë dhe protestuesve dhe shumë të shoqëruar në komisariat.
Protesta është organizuar në mediat sociale, ku qytetarë të ndryshëm kanë kërkuar reagim për vrasjen e të riut nga policia. Klodian Rasha u vra nga një efektiv i policisë, në orët e para të mëngjesit të së martës.