Ndonjëherë, prej boom-it të lajmeve edhe me parashikime apokaliptike, na duket se jeta sot, kjo realja që ne jetojmë, kurrë nuk ka qenë më e vështirë në planetin Tokë.
E vërteta është që para nesh ka patur jo thjesht lajme më të këqija, por dhe zhvillime katastrofike, të cilat duke i ditur do na bëjnë të ndihemi njerëz me fat të madh.
Për shembull, në vitin 1918, një pandemi gripi vrau më shumë se 50 milionë njerëz dhe në vitin 1349 një murtajë e zezë mori gjysmën e popullsisë së Evropës. Por dhe këto nuk kanë qenë ngjarjet më të këqijat në histori.
Le të imagjinojmë që kemi një makinë kohe dhe na jepet mundësia të shohim çdo vit nga historia njerëzore.
Shkencëtarët sugjerojnë që mos shkojmë në vitin 536, kur një mjegull misterioze mbuloi Evropën, Lindjen e Mesme dhe pjesë të Azisë, e cila zgjati 18 muaj rresht duke e lënë këtë pjesë të globit gati në errësirë totale.
Temperaturat në Tokë ranë me 2.5 Celsius, ndërkohë që në Kinë ra borë në stinën e verës.
Gjithashtu, vitet që pasuan nuk ishin më të mira. Sipas disa shkrimeve irlandeze, nga 536 e deri në 539 pati dhe një uri të rëndë në poullatën e kohës. Ndërsa në vitin 541, sëmundja e njohur sot si “murtaja e Justinianit” u shfaq në pjesën lindore të Perandorisë Romake dhe vrau më shumë se 100 milionë njerëz.
Dhe deri më sot, nuk dihet se çfarë i shkaktoi këto ngjarje kataklizmike.
Shkencëtarët kanë dyshuar gjatë se “fajtori” është një shpërthim masiv vullkanik.
Një studim në vitin 2015 hulumtoi përbërësit kimikë nga brendësia e pemëve (nga unazat) dhe sugjeroi që një vullkan shpërtheu në atë kohë, e që ndoshta ndodhej në Amerikën e Veriut.
Megjithatë, tani një ekip historianësh, arkeologësh dhe klimatologësh kanë botuar një studim të ri të akullnajave në Alpet Zvicerane.
Falë matjeve ultra-të sakta të akullit dhe “qelqit” vullkanik në to, ata arritën të lidhnin gjurmët e vullkaneve që njihen në botën tonë.
“Fajtori” më i mundshëm është një vullkan në Islandë, i cili shpërtheu dhe ndenji i aktivizuar deri në vitin 547.
Shpërthimi ishte kaq i tmerrshëm saqë Evropës iu desh njëqind vjet për t’u shëruar.