Bota “Kemi fituar dy herë”, Trump: Gjykata Supreme ka shansin të shpëtojë vendin

“Kemi fituar dy herë”, Trump: Gjykata Supreme ka shansin të shpëtojë vendin

Presidenti në largim i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka ripërsëritur, pretendimin se ka fituar zgjedhjet e garës presidenciale. Fjalimi është mbajtur gjatë festës së përvitshme të eventit hebre “Hanukkah” që organizohet në Shtëpinë e Bardhë.

“Ne kemi fituar dy herë dhe tani do të shohim se çfarë do të ndodhë. Ne fituam, më shumë se herën e pare… Hera e parë ishte disi e lehtë, askush nuk u ankua shumë, ndërsa herën e dytë e fituam në një mënyrë shumë më të lehtë,” – u shpreh Trump.

Ndërsa Trump përsëriti fitoren, ai tha se akoma më shumë persona ishin bashkuar për ta mbështetur, ku sipas tij, kandidati kundërshtar Joe Biden ka marrë padrejtësisht postin e kreut të shtetit. Të pranishmit në festë brohoritën qëndrimin e presidentit duke thënë “edhe katër vite të tjera”.

“E kuptoj, shumë burra e gra të kongresit na janë bashkuar, si dhe shumë persona të tjerë po bashkohen, sepse ata nuk mund të lejojnë që kjo të ndodhë. Nuk mund të kesh një shtet ku dikush humb zgjedhjet dhe bëhet President i Shteteve të Bashkuara,” – shtoi më tej Trump.

Më herët, presidenti Turmp i kërkoi Gjykatës Supreme të mërkurën të bllokojë miliona vota në shtete kyçe që zgjodhën Joe Biden si presidentin e ardhshëm të Shteteve të Bashkuara.

Trump i kërkon gjykatës të ndërhyjë në një padi të ngritur nga Prokurori i Përgjithshëm i Teksasit, Ken Paxton, i cili kërkon të zhvlerësojë miliona vota të hedhura në Xhorxhia, Miçigan, Pensilvani dhe Uiskonsin.

“Gjykata Supreme ka shansin të shpëtojë vendin tonë nga abuzimi më i madh zgjedhor në historinë e Shteteve të Bashkuara. 78% e njerëzve e ndjejnë (tani!) se zgjedhjet janë manipuluar”, shkroi presidenti në rrjetet sociale.

Presidenti iu drejtua Gjykatës Supreme një ditë pasi Gjykata Supreme e Pensilvanisë i mohoi të drejtën republikanëve për të bllokuar certifikimin e rezultatit zgjedhor, me pretendimin se duheshin anuluar votat me postë.

Deri tani, të 50 shtetet, si edhe Distrikti i Kolumbias, e kanë certifikuar rezultatin zgjedhor që dërgon Joe Biden në Shtëpinë e Bardhë për një mandat katërvjeçar, duke nisur nga 20 janari 2021.