Sport Dështimi në Champions, tani Conte duhet të fitojë me çdo kusht kampionatin

Dështimi në Champions, tani Conte duhet të fitojë me çdo kusht kampionatin

Me mbylljen e grupeve të Europa League, Italia feston kalimin e turit të 6 skuadrave 3 vjet pas herës së fundit. Të gjitha të kualifikuara, me përjashtim të Interit që e mbylli fazën e grupeve në Champions në vendin e fundit dhe i thotë lamtumirë Europës për këtë sezon.

Një zhgënjim i madh mungesa e arritjes në fazën e 1/8 për skuadrën e Contes, edhe pse eliminimi i parakohshëm nga kompeticioni më prestigjioz kontinental për klube do të thotë se skuadra mund të përqendrojë të gjitha forcat e saj në kampionat dhe në Kupën e Italisë.

Zikaltërit do të kenë më pak impenjime në krahasim me konkurrentët e drejtpërdrejtë në garën për titullin dhe ky është një faktor që shpesh Conte ia ka dalë ta shfrytëzojë më së miri, fillimisht me Juventusin dhe pastaj me Chelsea-n.

Objektivi titull është një obligim për Interin që i duhet të fitojë për të mos hedhur poshtë sezonin. E di mirë Arturo Vidal që karikon skuadrën nëpërmjet profilit të tij në Instagram dhe shtyn shokët e skuadrës që të japin gjithçka kanë për titullin teksa shkruan, “është shumë e trishtë të humbasësh një shans unik për tu kualifikuar në 1/8 e finaleve të Champions, por do të ringrihemi dhe do të mësojmë nga gabimet tona duke dhënë maksimumin në çdo ndeshje për të fituar titullin”.

I mban ison edhe presidenti Zhang që nga Kina bëri të dëgjohet zëri i tij, duke konfirmuar edhe pse në mënyrë indirekte Antonio Conte-n, i përfunduar në shënjestër të kritikave pas eliminimit nga Shakhtari, teksa deklaroi: “Ishim të vetëdijshëm për vështirësitë me të cilat mund të përballeshim në këtë sezon anormal. Duhet të vazhdojmë dhe këtë do të bëjmë tani. Objektivi ynë nuk ndryshon: Të luftojmë dhe të japim gjithçka për të mirën e Interit, së bashku!”.

Eliminimi nga Champions League është i dhimbshëm, sidomos për tifozët. Sërish Interi nuk ia doli të arrinte atë që duhej dhe tifozët kanë reaguar me Grupin e Curva Nord, që nëpërmjet një komunikate bëjnë të ditur veç të tjerash: “Në vend të të qarave le të përqendrohemi në dimensionin e vërtetë të këtij Interi. Të mendojmë për kampionatin, të mendojmë pozitivisht. T’i japim besim skuadrës dhe klubit. Kjo është detyra jonë. Jemi tifozë, jo opinionistë. Ne jemi dashuria e pakushtëzuar, kaq. Pastaj me të drejtë do të bëjmë llogaritë”.