Ndahet nga jeta për shkak të COVID-19 ish-trajneri i Shqipërisë, Otto Bariç. Kroati me pasaportë austriake u shua në moshën 87-vjeçare, në spitalin e Dubravas, pasi e humbi betejën me virusin..
Lajmi u dha nga mediet kroate, që i bëjnë homazh një trajneri të madh, që i ka dhënë shumë futbollit në krye të skuadrave të ndryshme, në Kroaci, Austri e jo vetëm.
Otto Bariç u emërua trajneri i Shqipërisë në gusht të vitit 2006 dhe u largua nga kjo detyrë në nëntor të vitit 2007, duke i drejtuar kuqezinjtë në eliminatoret e “Euro 2008”. Nën drejtimin e Baricit Shqipëria zhvilloi 15 ndeshje, duke arritur 4 fitore, 5 barazime dhe 6 humbje.