Qeveria suedeze i ka kërkuar qytetarëve për herë të parë që prej fillimit të pandemisë që të mbajnë maska në transportin urban për të frenuar përhapjen e virusit.
Kryeministri Stefan Löfven tha se do të ndërmerren edhe masa të tjera, si për shembull përgjysmimi i klientëve në restorant dhe kufizime oraresh në dyqanet ku shitet alkool.
Më parë, numri i lejuar i personave në një tavolinë restoranti ishte tetë, ndërsa tani nuk do të lejohen më shumë se katër.
Masat pritet të hyjnë në fuqi mbrëmjen e Krishtlindjeve, ditën tradicionale kur suedezët ndërrojnë dhurata me njëri-tjetrin.
Masa të tjera që janë parashikuar të ndërmerren janë kufizime në numrin e personave nëpër qendra tregtare e palestra, ndërsa punonjësit jo-esencial do t’iu rekomandohet të punojnë nga shtëpia.
Gjimnazet do të vazhdojnë klasat online deri më 24 janar.
Suedia është kritikuar ashpër në mbarë botën, për ato të cilët shumë e kanë parë si “një përgjigje të relaksuar” ndaj COVID-19. Teksa Europa hyri në karantinë, vendi skandinav i shmangu kufizimet duke mbajtur baret dhe restorantet hapur.
Megjithatë, kjo strategji duket se nuk po funksionon më, pasi sektori shëndetësisë përgatitet për një valë të dytë.
Vetëm këtë javë, pavijonet e terapisë intensive të spitaleve të Stokholmit njoftuan se kishin arritur në 99 për qind të kapacitetit të tyre.
Norvegjia dhe Finlanda, ku situata epidemiologjike paraqitet e qëndrueshme, nxituan për të ofruar ndihmën e tyre ndaj shtetit fqinj.
“Kemi nevojë për ndihmë”, tha drejtori i shëndetësisë së Stokholmit, Björn Eriksson, javën e shkuar.
“Mendoj se kemi dështuar”, tha ai, teksa shtoi “Ka një numër të lartë njerëzish që kanë humbur jetën dhe kjo është e tmerrshme”.
Që prej fillimit të pandemisë, mbi 360 mijë suedezë janë diagnostikuar me COVID-19, ndërsa numri i viktimave është rreth 8 mijë.