Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë aprovuar për përdorim masiv vaksinën e dytë kundër COVID-19, e cila është zhvilluar nga kompania Moderna. Tashmë pas miratimit për përdorim emergjent kompania do të nisë prodhimin e disa milionë dozave.
Administrata e Ushqimit dhe Barnave autorizoi përdorimin e kësasj vaksine në SHBA rreth një javë pasi miratoi një vaksinë tjetër atë të zhvilluar nga Pfizer/BioNTech e cila ka filluar përdorimin.
SHBA ka rënë dakord të blejë 200 milionë doza nga Moderna nga të cilat 6 milionë do jenë gati brenda vitit 2020.
Një prej zyrtarëve të lartë të FDA, Stephen Hahn tha se miratimi emergjent i vaksinës “shënoi një hap tjetër thelbësor në luftën kundër kësaj pandemie globale që po shkakton një numër të madh të shtrimeve në spital dhe vdekjesh“.
Komisioni për aprovimin e vaksinës së Moderan përbëhej nga 20 anëtarë, të cilët votuan të gjithë pro dhe nuk pati asnjë votë kundër apo abstenim. Po ashtu nga FDA është deklaruar se kjo vaksinë është deri në 94% efektive dhe nuk ka efekte anësore.
SHBA është vendi që ka numrin më të lartë të vdekjeve dhe të rasteve të reja nga COVID-19.
Sipas të dhënave të publikuara nga Universiteti Johns Kopkins, në SHBA janë regjistruar mbi 313,500 vdekje dhe 17.5 milionë të infektuar që nga nisja e pandemisë.