Bota Varianti i ri i koronavirusit tremb Europën, bllokohen udhëtimet me  Britaninë

Varianti i ri i koronavirusit tremb Europën, bllokohen udhëtimet me  Britaninë

Italia, Holanda dhe Belgjika kanë ndaluar fluturimet nga Mbretëria e Bashkuar. Edhe Parisi dhe Berlin për përgatiten të bllokojnë fluturimet dhe trenat. “Varianti i ri koronavirusit ka dalë jashtë kontrollit”, deklaroi Ministri britanik i Shëndetësisë. Në Londër ka eksod.

Italia, Holanda dhe Belgjika kanë ndaluar fluturimet nga dhe për në Mbretërinë e Bashkuar prej ditës së sotme pas zbulimit të një lloji të ri të koronavirusit në ishull. Edhe Gjermania dhe Franca po përgatiten për një zgjidhje të përbashkët të bllokojnë trenat dhe avionët nga Britania.

Varianti agresiv i Covid-19 që po përhapet në Angli është zbuluar edhe në Danimarkë, Holandë dhe Australi. Kështu deklaroi në një intervistë për BBC, Maria Van Kerkhove, eksperte e Organizata Botërore të Shëndetësisë.

“Varianti i ri koronavirusit ka dalë jashtë kontrollit”

Varianti i ri i Covid-19, i cili bëri që qeveria e Mbretërisë të Bashkuar të vendosë një bllokim të ri të nivelit 4 në Londër dhe Anglinë juglindore gjatë festave të fundvitit, është “jashtë kontrollit”, tha të dielën Ministri i Shëndetësisë Matt Hancock.

Hancock tha se varianti i ri, i cili mund të përhapet më shpejt se llojet e tjerë, por nuk është më i rrezikshëm se ta, duhej mbajtur nën kontrolluar.

Ministri i Shëndetësisë e quajti bllokimin e ri “një fund të tmerrshëm për atë që ka qenë një vit i vështirë”.

“Të gjitha masat që kemi në vend, na duhen më shumë për të kontrolluar përhapjen e variantit të ri sesa kemi bërë për të kontrolluar përhapjen e variantit të vjetër,” shtoi ai, në përgjigje të masave aktuale.

Pjesë të mëdha të Anglisë juglindore, përfshirë Londrën, janë tashmë nën kufizime më strikte, në përpjekjen për të frenuar përhapjen e virusit që siç thuhet, ka një nivel përhapje, 70 për qind më të lartë.

Qytetarëve iu kërkohet të qëndrojnë në shtëpi dhe grumbullimet sociale do të limitohen në vetëm 1 person tjetër në ambiente të hapura.

“Nuk ka prova se i reziston vaksinës”

Organizata Botërore e Shëndetësisë tha se ishte në kontakt të ngushtë më autoritetet britanike, lidhur me emergjencën e variantit të ri të koronavirusit. Varianti i ri po përhapet më shpejtë se ai origjinali, por nuk besohet të jetë më vdekjeprurës.

Deri më tani nuk ka prova se variant i ri, reagon ndryshe ndaj vaksinave.

“Për momentin, qytetarët nuk duhet të shqetësohen shumë mbi këtë gjë. Nuk mendoj se është diçka serioze. Për ne virologët, është interesante të shohim si ndryshojnë mutacionet me kalimin e kohës, por nuk mendoj se ndikon tek agresiviteti klinike as tek reagimi i vaksinës”, tha Julian Tamg, virology në universitetin e Leicester.

Në një postim në rrjetin social Tëitter, OBSH tha se Britania e Madhe po ndante informacione të studimeve të vazhdueshme lidhur me mutacionin dhe se shtetet e tjera do të përditësoheshin sapo të mësohej më shumë mbi karakteristikat e variantit të ri të virusit.

Eksod nga Londra

Mijëra njerëz u dyndën në stacionet e trenave, aeroporte, tragete të shtunën në Londër, pasi kryeministri Boris Johnson njoftoi se kryeqyteti britanik dhe një pjesë shumë e madhe e qyteteve angleze do të hynin në një regjim më të fortë masash kundër koronavirusit për festat e fundvitit.

Deklarata e kreut të qeverisë duket se shkaktoi panik te banorët e Londrës të cilët në turma të mëdha “pushtuan” stacionet e trenave dhe rrugët për t’u larguar. Një lëvizje që ngjan më shumë si një eksod, që për disa ekspertë nuk ka ndodhur që prej vitit të largët 1939.

Masat e reja që prezantoi kryeministri ditën e shtunë përfshinin masa drakoniane që nuk ishin parë që prej nisjes së pandemisë, ku përfshihen mbyllja e të gjithë dyqaneve dhe urdhri për të qëndruar në shtëpi.