Interi nuk gaboi në shtëpi ndaj Spezias, edhe pse nuk e pati të thjeshtë për të fituar 2-1. Triumfi i gjashtë radhazi në kampionat për skuadrën e Antonio Contes, që vazhdon të ndjekë hap pas hapi Milanin kryesues (kuqezinjtë numërojnë një pikë më shumë).
Trajneri i Interit foli pas fitores për mediat. Ekipi i tij u shfaq cinik, shënoi dy herë në pjesën e dytë dhe siguroi tre pikët. Conte vlerëson skuadrën kundërshtare dhe ndalet te Brozovic, rolin e të cilit mund ta bëjë vetëm një tjetër lojtar: Nicolo Barella.
“Nuk e di a e kemi gjetur ekuilibrin e duhur, por sot arritëm fitoren e gjashtë radhazi në kampionat. Rezultatet pozitive janë të mirëpritura, kemi nevojë për vazhdimësi për të qëndruar në vendet e larta të renditjes.
E dinim që sot mund të ishte një ndeshje e komplikuar, pasi Spezia është një ekip shumë i organizuar, janë të fortë fizikisht dhe i mbyllin shumë mirë hapësirat. Nuk krijuam shumë raste, por e merituam fitoren, nuk i lejuam asgjë kundërshtarëve, nuk patën raste.
Brozovic? Ishte me të verdhë, ekzistonte rreziku të ndëshkohej përsëri. Edhe sot luajti mirë, por edhe Barella mund të na japë garanci në atë pozicion. Nicolo është më pak regjisor, por e ka treguar se mund të luajë në pozicionin e Brozovic, vetëm ai mund ta bëjë“, deklaron Conte.