Momo Salah nuk është i lumtur te Liverpool dhe ky është një lajm që trishton tifozët e shumtë të kampionëve të Anglisë. Ylli egjiptian deklaroi disa ditë më parë në një prononcim për AS se e ardhmja e tij është në dorën e drejtuesve, teksa nuk e mohoi një kalim te Real Madrid apo Barcelona.
Rreth situatës së sulmuesit të njohur ka folur Mohamed Aboutrika, një nga miqtë e tij më të ngushtë. Ish-lojtari i kombëtares së Egjiptit, në një prononcim për beIN Sport, flet hapur rreth patriotit të tij, duke zbuluar një nga shkaqet se pse Salah është mërzitur në ishull.
“Telefonova Salah për ta pyetur për situatën e tij te Liverpool. Ai është i mërzitur, por kjo gjë nuk ndikon aspak në paraqitjet në fushën e blertë. E di që Momo nuk ndihet më i lumtur te Liverpool. Ai më shpjegoi se pse nuk ndihet mirë, por kjo është një bisedë sekrete mes nesh, nuk mund ta bëj publike.
Një nga shkaqet që e ka zemëruar është fakti që nuk ishte kapiteni i ekipit në sfidën ndaj Midtjylland në Champions (shiritin e mbajti Alexander-Arnold). Nëse Momo do të ishte pjesë e Real Madrid apo Barcelonës dhe të luante me të njëjtin nivel që po paraqitet te Liverpool, ai do të fitonte ‘Topin e Artë’.
Mendoj se Liverpool po e merr në konsideratë faktin e shitjes së tij, sigurisht për të përfituar ekonomikisht. E kam shok, e kam si vëlla dhe nuk kam ndikim në zgjedhjet e tij. Ai është aq i zgjuar sa të marrë vendimin më të mirë“, tha Mohamed Aboutrika.