Mendimi që një ditë njerëzit mund të jetojnë – me dëshirë, apo të detyruar – larg Tokës, ka shtyrë arkitektët të nisin të konceptojnë idetë e godinave që do të na duheshin për të jetuar në planetë të tjerë.
Kostot e larta të transportit të materialeve dhe makinerive në hapësirë kanë bërë që arkitektët të hamendësojnë godina të ndërtuara me materiale vendase, të Hënës, apo të planetit Mars, me të cilat do të ngriheshin edhe shtëpitë apo zyrat e njerëzve që do të jetonin atje. Disa projektues mendojnë të përdorin pluhurin e hënës si material ndërtimi, apo dheun e Marsit, i cili do të përpunohet dhe do të marrë formë përmes printerëve 3D.
Një tjetër koncept është ai i shtëpive prej akulli në Mars, një ide që qarkullon prej vitit 2015, kur NASA konfirmoi praninë e ujit në planetin e kuq. Për më tepër, uji është një barrierë e shkëlqyer natyrale e rrezatimit dhe temperaturat në mars janë mesatarisht -63 gradë Celsius, çka e bën të mundur ndërtimin e blloqeve të akullta.