Presidenti i zgjedhur Joe Biden bëri dozën e parë të vaksinës së kompanisë Pfizer kundër koronavirusit të hënën në një spital në Nuark të shtetit Delauer. Presidenti i zgjedhur kishte shkuar për t’u vaksinuar së bashku me të shoqen, Jill Biden. Pas tre javësh ai dhe zonja Biden do të bëjnë dozën e dytë të vaksinës.
Kur Biden u pyet prej saj nëse ai dëshironte që të numëronte deri në tre para se të merrte vaksinën, Biden u përgjigj prerë: “Jo, thjesht vazhdo kur të jesh gati”.
Tre ditë më parë ishte zëvendëspresidenti amerikan, Mike Pence, i cili mori dozën e parë të vaksinës së tij kundër Covid-19 në Spitalin Mjekësor Walter Reed. Po ashtu si Biden edhe Pence e bëri vaksinat publikisht, në një përpjekje për të rritur besimin në sigurinë e vaksinës, e cila do të vihet gjerësisht në dispozicion të publikut vitin e ardhshëm.
Presidenti i zgjedhur Biden u bëri thirrje amerikanëve të bëjnë vaksinën sapo të kenë mundësi duke shtuar se nuk ka asgjë për t’u shqetësuar prej saj.
Një vaksinë e re kundër koronavirusit nga kompania amerikane Moderna pritet të shpërndahet në të gjithë Shtetet e Bashkuara këtë javë. Por kjo vjen ndërsa vendi po përjeton rekorde ditore të COVID-19, sëmundjes së shkaktuar nga koronavirusi. Sipas Projektit të Ndjekjes së COVID-it, 113,000 njerëz aktualisht janë të shtruar në spitale.
Megjithëse sipas Qendrës për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, gjashtë marrës të vaksinës Pfizer përjetuan reaksione të rënda alergjike, zyrtarët amerikanë thonë se njerëzit duhet ta marrin vaksinën kur të jetë e disponueshme.
“Vaksina rekomandohet gjerësisht për të gjithë, pasi e dimë që është 95 për qind e efektshme, madje edhe 100 për qind e efektshme në parandalimin e rasteve të rënda të sëmundjes. Kjo është mënyra se si ne do i japim fund pandemisë duke vaksinuar 70 ose 80% të popullit amerikan”, tha admirali Brett Giroir, ndihmës sekretar në Departamentin e Shëndetit dhe Shërbimeve Njerëzore.