Trajneri i kombëtares italiane Roberto Mancini, që ka marrë përsipër misionin e vështirë për të rinovuar “azzurrët”, mund të bëjë një hap pas.
Duke parë problemet e mëdha që ka në sulm ekipi kombëtar (2 gola në 4 ndeshje të Nations League), ai është gati të grumbullojë në kombëtare sulmuesin 35-vjeçar të Sampdoria, Fabio Quagliarella, që po kalon një rini të dytë.
Trajneri “azzurr” ka qenë të shtunën në stadiumin “Luigi Ferraris” për të parë nga afër ndeshjen Sampdoria-Udinese, 4-0. Në këtë takim, sulmuesi realizoi 2 gola me 11-metërsh, por mbi të gjitha barazoi rekordin e realizimit të golave në 11 ndeshje radhazi në Serinë A (njësoj si legjenda Batistuta). Një statistikë që nuk mund të anashkalohet nga Roberto Mancini, sidomos në këto momente.
Sipas “Sky Sport”, trajneri i kombëtares pritet të grumbullojë Quagliarella në kombëtare në një mini-fazë përgatitore që ai do të zhvillojë në shkurt, me disa nga futbollistët kandidatë. Sulmuesi 35-vjeçar, aktualisht golashënuesi më i mirë i Serisë A me 16 gola këtë sezon, ka veshur edhe më parë fanellën e kombëtares, në vitet 2007-2010, ku në 25 ndeshje ka realizuar 7 gola.
Kur e pyetën pas ndeshjes se çfarë efekti ka të barazosh rekordin e Batistutës, Quagliarella heshti për disa momente dhe më pas i mallëngjyer tha: “E paimagjinueshme, vërtet. Emocionohem sepse diçka e tillë nuk më shkonte kurrë ndërmend, edhe të përmend emrin e një lojtari si Batistuta më kapin të dridhurat. Nuk di ç’të them, e shijova këtë mbrëmje dhe tifozët e mi. Festova shumë për rekordin, sepse për Udinese-n kam gjithnjë respekt, për ato dy vite që kam kaluar aty”.