Në një letër drejtuar Komitetit Teknik të Ekspertëve, Kisha Katolike në vendin tonë e cilëson ndryshimin e orarit të lëvizjes nga ora 22:00 në 20:30, një ndryshim të nxituar dhe diskriminues ndaj komunitetit katolik. Kisha Katolike thotë se kishte marrë të gjitha masat që meshat të kremtoheshin në orare të përshtatshme dhe se do të kishim marrë pjesë me kënaqësi në konsultim për kufizimet që hyjnë në fuqi pikërisht natën e Krishtlindjes, më datë 24 Dhjetor.
“E nderuar Zonja Rakacolli, U njohëm me vendimin e ri të Komitetit të Ekspertëve të drejtuar prej jush, rreth kufizimit në kuadër të masave anti-COVID të marra nga qeveria shqiptare që ndalon qarkullimin e njerëzve pas orës 20:30, duke filluar nga data 24 dhjetor, pikërisht natën e Krishtlindjes.
Ne si Kishë Katolike kishim marrë të gjitha masat që të kremtonim meshët në orare të përshtatshme qysh prej datës 3 dhjetor 2020, sikurse do të shihni nga dokumenti bashkëngjitur. Në këtë dokument kemi vendosur që meshët të mbahen në orare që t’u lejojnë njerëzve të kthehen nëpër shtëpitë e tyre para orës 22.00.
Ky ndryshim i papritur që nis pikërisht Natën e Krishtlindjes, na duket i nxituar dhe diskriminues ndaj komunitetit katolik, që është e vetmja Kishë e Krishterë që kremton lindjen e Krishtit netën. Sapo kishim njoftuar të gjithë besimtarët tanë dje, ditën e Diel, se mesha e Krishtlindjes do të kremtohej te enjte në orën 20.00. Me kënaqësi do të kishim marrë pjesë në konsultim për një gjë të tillë. Duke ju uruar punë të mbarë ju përshëndes, me nderime George Frendo O.P., Kryetar i Konferencës Ipeshkvore të Shqipërisë”, thuhet në letrën e Kishës Katolike.