Presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan i kërkoi presidentit të sapozgjedhur të SHBA-së, Joe Biden t’i kushtonte vëmendjen e duhur marrëdhënieve turko-amerikane.
“Ne besojmë se presidenti i ri i Amerikës, Biden, gjithashtu do t’i kushtojë vëmendjen e duhur marrëdhënieve turko-amerikane. Ne nuk kemi asnjë paragjykim, armiqësi ose antipati ndaj askujt”, tha Erdogan para grupit parlamentar të Partisë së tij për Drejtësi dhe Zhvillim.
“Deri më sot, ne kemi shkuar me vrap tek ata që bënë edhe një hap të vetëm drejt nesh. Ne mbajmë të njëjtin sinqeritet dhe optimizëm”, tha ai.
Ai shtoi se Turqia do të vazhdojë të punojë për paqen, drejtësinë dhe prosperitetin në rajon.
Erdogan theksoi se ”Turqia shpresonte të hapte një kapitull të ri në marrëdhëniet e saj me Bashkimin Europian dhe SHBA-të në vitin e ri”.
“Ne nuk i shohim lidhjet tona të gjithanshme politike, ekonomike dhe ushtarake si një alternativë ndaj marrëdhënieve tona të vendosura mirë me SHBA-të. Shpresojmë që BE-ja të heqë dorë nga verbëria strategjike që largon Turqinë nga BE”, shtoi ai.
Më 14 dhjetor, SHBA-ja vendosi sanksione ndaj Turqisë lidhur me blerjen e saj të sistemit rus të mbrojtjes raketore S-400.
Zyrtarët e SHBA-së kanë shprehur kundërshtim ndaj marrëveshjes, duke pretenduar se S-400 do të jenë në mospërputhje me sistemet e NATO-s dhe do të ekspozonin avionët F-35 ndaj mashtrimit të mundshëm rus.
Turqia, megjithatë, theksoi se S-400 nuk do të integrohen në sistemet e NATO-s dhe nuk paraqesin asnjë kërcënim për aleancën ose armatimet e saj.