Një Juventus-Fiorentina për t’u harruar, jo vetëm për bardhezinjtë. Mbrëmja e gjyqtarit romak, Federico La Penna, ishte po aq e zezë, me disa gabime dhe episode që provokuan diskutime dhe reagime të forta.
Që të rikuperojë qetësinë dhe të jetë në gjendje të gjykojë përsëri, por me saktësi, dizenjatori Nicola Rizzoli pritet t’i japë atij një pushim (në fakt, dënim), duke mos e caktuar kund të javën e 15-të të Serie A. Kjo është më e pakta dhe raportohet nga “La Gazzetta dello Sport”.
Në fakt, nuk do të ishte hera e parë që një gjyqtari të Serie A do t’i thuhej “stop”, pas një mbrëmjeje të keqe. Këtë sezon, tashmë ka ndodhur me Giacomelli, Maresca, Nasca dhe Piccinini. La Penna ishte protagonist i disa gabimeve të konsideruara serioze në “Allianz Stadium”. Mbi të gjitha, mungesa e kartonit të kuq ndaj Borja Valero në minutën e 50-të.
Në pjesën e parë i kishte dhënë vetëm karton të verdhë Cuadrado (më vonë u përjashtua nga ndeshja me të kuq, pasi ndërhyrja e tij e ashpër u pa me VAR). Po kështu, në pjesën e dytë nuk pranoi dy penallti të pastra të Juventusit për faullet ndaj Ronaldos dhe Bernardeschi, ndërsa nuk i dha as kartonin e dytë të verdhë Borja për një faull të rëndë ndaj Rodrigo Bentancur.
Këto spikasin, në mesin e shumë gabimeve të tjera të vogla, të cilat e kryqëzojnë. Ai do të ketë kohë të mendojë e reflektojë, para se t’i besohet përsëri bilbili, duke e kthyer faqen.