Një 50-vjeçar, po shëtiste në arat e një fshati në Anglinë e jugut, i dashuruar pas natyrës dhe soditjes së zogjve të shumtë që ndodhen në atë zonë. Por, në vend të fotografive me harabela dhe qukapikë, britaniku u kthye në shtëpi me dy qese plastike, të mbushura me monedha ari.
Edhe pse për arsyeje sigurie nuk bëhet e ditur vendndodhja ekzakte, autoritetet thonë se bëhet fjalë për zbulimin rastësor më të madh të viteve të fundit në Britaninë e Madhe, ku flitet për një “thesar” të mirëfilltë me rreth 1300 monedha ari të periudhës kelte, të paktën 2000 vjet të lashta.
Çdo monedhë mund të vlejë deri në 750 euro secila, për një vlerë totale që i afrohet një milion eurove. Interesant është edhe tregimi i vetë zbuluesit amator, për atë shëtitje që mund t’i ndryshojë jetën.
“Po fotografoja një sorrë dhe një skifter që po ziheshin në një arë të sapopunuar, kur vëmendja ime shkoi te një objekt vezullues, që bënte kontrast me tokën e errët. Jam kërkues amator monedhash, e njoha menjëherë që ishte një monedhë kelte. Kur pashë të dytën, pak më larg, shkova direkt në shtëpi për të marrë detektorin e metaleve. U ktheva dhe fillova të kërkoja. Sinjali që vinte në thellësinë rreth 50 centimetra ishte i fortë, dhe gjeta një tip vazoje të thyer, nga e cila filluan të derdheshin qindra monedha ari. Një pamje që nuk do të harroj të gjithë jetën” .
Anglezi mblodhi monedhat në dy qese plastike, nga ato që shpërndahen në supermarkete, dhe iu drejtua zyrës së policisë. Sipas ligjit britanik, zbulimi duhet të administrohet nga autoritetet lokale që do të ofrojnë monedhat për shitje muzeve, ose t’ia rikthejnë monedhat zbuluesit.
Gjithsesi, pjesë e fitimeve të majme do t’i shkojnë edhe pronarit të tokës, që me traktorin e tij nxori në dritë, në mënyrë të pavetëdijshme, një thesar të fshehur prej mijëra vitesh.