Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka uruar përmes një postimi në rrjetet sociale të gjithë besimtarët e krishterë me rastin e Krishtlindjes, një nga festat më të rëndësishme për këtë fe.
Duke i konsideruar këto Krishtlindje si të pazakonta për shkak të pandemisë, Lulzim Basha ftoi të gjithë shqiptarët të shohim me shpresë përpara për një të ardhme më të mirë.
“Kjo Krishtlindje nuk është e zakonshme. Gjatë këtij viti kemi kaluar vështirësi të mëdha, kemi përjetuar dhimbje dhe ndarje fizike dhe kemi ndjerë mall për më të dashurit tanë. Por në të njëjtën kohë, kemi pasur mundësi të shohim më qartë ku jemi dhe çfarë duhet të bëjmë për të ndryshuar realitetin tonë.
Le të shohim me shpresë përpara, sepse siç thuhet edhe në librat e shenjtë, pas errësirës vjen drita. Si një familje e madhe të ndërtojmë me dhembshuri dhe kujdes për njëri-tjetrin të sotmen dhe të nesërmen tonë.
Gëzimi i kësaj nate i mbushtë zemrat tuaja e Zoti na udhëheqtë drejt së nesërmes më të mirë e më të begatë për të gjithë shqiptarët. Gëzuar dhe Krishtlindje të bekuara”, shkruan Lulzim Basha.