Kryeministri Edi Rama e kujton babain e tij si një njeri të heshtur dhe që nuk i imponohej kurrë për vendimet apo mendimet e tij.
Në një intervistë të rrallë për emisionin “Opinion” përballë gazetarit Blendi Fevziu, ka treguar se vitet e fundit nuk i ka pasur marrëdhënie të mirë me të atin dhe çdo drekë e të dielës përfundonte me sherr.
Fevziu: Zoti Rama çfarë raporti keni pasur ju me babain, përtej thjesht politikës?
Rama: Unë kam pas…
Fevziu: Në një intervistë tjetër ju me keni thënë që erdhët vetëm në varrimin e tij, binte shumë shi dhe juve ju dukej e trishtë që një njeri që ka jetuar një jetë me përpjekje, një ditë duhet të iki nga kjo botë…
Rama: Babai ishte një dhuratë nga Zoti për mua në sensin që nuk është përpjekur asnjëherë që të më imponohet mua. Nuk mbaj mend që të ketë ngritur dorën ndaj meje dhe që unë fillova t’i jepja gojës siç thuhet që të më imponohej e të më mbyllte gojën. E vetmja gjë që ndodhte mes nesh ishte diskutimi, kur ne kishim debat për shumë gjëra. Unë kam qenë një fëmijë shumë rebel në aspektin e të folurës, në aspektin e debatit, ai thoshte dakord ti me tënden unë me timen, por me këtë mëndje që ke mund të përfundosh dhe në burg, por puna jote. Pra ka qenë shumë liberal në raport me mua, në raport me mua…
Fevziu: Burgu në atë kohë nuk ishte aq individual se merrje në qafë të gjithë familjen…
Rama: Më ka dhënë mundësinë që unë të jem unë. Ai asnjëherë nuk e ka përthyer personalitetin tim, sipas frikës apo shqetësimit apo mendjes së tij. Kjo ka qenë thelbësore. Pastaj në aspektin artistik kishim qëndrime të ndryshme, por im atë në atë pikë ishte shumë tolerant dhe nuk kërkonte të më bindte mua që çfarë unë pëlqeja ndërkohë që isha ai që thoja se çfarë ai duhet të pëlqente. Në aspektin pastaj të marrëdhënies me regjimin, me sistemin më kujtohet që vitet e fundit kanë qenë vite që nuk jetoja në shtëpi me prindërit dhe shkoja vetëm për drekën e së dielën e cila gjithmonë përfundonte keq.
Fevziu: Me sherr.
Rama: Ai nuk bënte sherr, unë bëja sherr. Dhe më kujtohet kur ai u përzgjodh anëtar i presidiumit të Kuvendit unë kisha një obsesion dhe i thoja që ke mundësinë ta takosh e ke përballë Ramiz Alinë, pse nuk i thua që nuk vazhdohet më kështu. Ai herë qeshte, herë e kalonte, herë thoshte se nuk është si mendon ti. Fiksimi im ishte që mos më dilte njëherë përballë Ramiz Alia dhe në fakt nuk më doli përpara se unë nuk u gjenda atë ditë.
Fevziu: Në mos gaboj ju jeni takuar me Ramiz Alinë shumë vonë, kur morët Partinë Socialiste.
Rama: I kam dhënë vetëm njëherë dorën dhe ia ka dhënë, madje një përshëndetje, as dorën nuk kemi shkëmbyer në një udhëtim teksa zbrisnim nga avioni. Nuk e kam takuar asnjëherë.
“Nuk jam i bindur që babai im ka firmosur për dënimin e Havzi Nelës”
Kryeministri Edi Rama shprehet nuk është i bindur që babai i tij, Kristaq Rama, të ketë firmosur për varjen e poetit Havzi Nela, pasi e krahason nënshkrimin me disa nënshkrime të gjetura në librat e tij.
Fevziu: Ndërkohë ju thoni që pushteti ishte i largët, por babai i juaj ishte në një farë mënyrë pjesë e pushtetit, më shumë ka qenë dekor i pushtetit se ushtrues i tij, çfarë raporti keni pasur për babain.
Rama: Im atë ishte komunist, ishte artist, skulptor. Si i tillë im atë ishte njeriu që punonte dhe krijonte në funksion të atij sistemi, tek i cili besonte.
Fevziu: Besonte tek ai sistem, kjo ishte pyetja.
Rama: Besonte deri vonë, jo deri në fund. Por deri vonë besonte, nuk di ta them deri sa vonë besonte. Mendoj që besonte deri në fund të viteve 70-të, fillim të viteve 80-të. Ishte njeri i përmbajtur, goxha i heshtur. Si pjesë e pushtetit nuk kishte asnjë lidhje me pushtetin. Të gjithë ata që nga të gjitha fushat e jetës, që përzgjedhin dhe vendoseshin në atë Kuvendin Popullor për të ngritur dorën në ato sesione parlamentarë që zhvilloheshin dy apo tre herë në vit se nuk e di dhe si i tillë ishte pjesë e atij dekori të madh. Nga pikëpamja e jetës së tij dhe punës së tij, zyrë të vetëm atelienë ku bënte skulpturat. S’ka qenë në asnjë pozicion tjetër.
Fevziu: Ndërkohë është shumë e njohur dhe ju i keni dalë në mbrojtje për rastin e Havzi Nelës që është bërë publike pas viteve 90’të, ku ai ka qenë një nga ata që ka firmosur dënimin me vdekje të Havzi Nelës.
Rama: Në fakt unë as nuk i kam dalë në mbrojtje dhe as nuk ka bërë të kundërtën për rastin. Rastin e kam parë dhe është shumë i trishtuar në vetvete i atij individi. Historia e tij është komplekse, por nuk jam prononcuar në lidhje me këtë sepse më mungojnë dy element, e para mungon fjala e tim ati, rasti ka dalë shumë pasi ai kishte ndërruar jetë dhe rasti ka dalë në funksion të luftës politike me mua dhe nuk ka dalë në funksion të ndonjë dalje të ndritë të fakteve lidhur me të shkuarën, pra më mungon fjala e tij. Dhe e dyta me mungon bindja për atë firmë, nuk e kam bindjen për atë firmë. E kam parë dokumentin, por nuk jam ekspert, por firmën e tij e kam parë nga librat se ai i shënonte dhe nuk jam i bindur as për firmën. Nuk jam as për firmën e tij dhe më mungon fjala e tij, aq më pak pastaj jam i pritur të jem i nxituar në këtë aspekt se ata që e nxorën dhe ata që e kthyen në avaz në publik që për mua fabrikuan një dosje të tërë, gjyqi të ndarjes me nënën e Gregut, ku arritën deri aty sa sikur unë në gjyq kisha akuzuar nënën e djalit tim, se djali im ishte djali i babait tim.
Fevziu: Është në dosje e publikuar në shtyp…..
Rama: Është një dosje e fabrikuar 100% dhe është provuar 100% për shkak se materialet e gjyqit janë aty se gjyqi ka qenë një seancë pajtimi dhe pas asaj seance kanë shkuar avokatët dhe nuk ka asnjë problem.