Politika Rama: Meta është njeri me hënë. Çfarë merite i njoh Berishës

Rama: Meta është njeri me hënë. Çfarë merite i njoh Berishës

Kryeministri Edi Rama në një rrëfim ndryshe në emisionin “Opinion” në përballë gazetarit Blendi Fevziu ka folur për raportin e tij me Ilir Metën.

Ram tregon se njohjen me Metën e ka që para angazhimit në politikë, por shton se Presidenti është një njeri me hënë dhe sipas tij i tillë ka qenë gjithmonë.

Fevziu: Si ka qenë raporti juaj me Ilir Metën? Nuk dua një përgjigje nisur nga dominimi i momentit. Jeni dashur shumë, jeni luftuar shumë, jeni njohur para viteve 90…

Rama: Para viteve ‘90 Iliri stërvitej tek palestra e shtangës, tek të rinjtë. Unë shkoja atje se bëja ushtrime force dhe isha shumë i lidhur në atë kohë me Agron Haxhihysenin, Aleksandër Kondon dhe merrja prej tyre ide për programin e forcës. Iliri më kujtohet, ishte në një kënd atje që stërvitej. Por nuk kishim ndonjë njohje më shumë se kaq.

Fevziu: Si mund ta përkufizosh marrëdhënien tuaj shumë të çuditshme me të?

Rama: Iliri është dy në një. Nuk është dy njerëz të ndryshëm në dy periudha të ndryshme historike, por është dy njerëz në një në çdo moment, është njeri shumë i dyzuar. Dhe ajo që unë them duket si figurë letrare, por është fatkeqësisht e vërtetë në këtë rast. Por Iliri është njeri me hënë. Është shumë i pasigurt brenda vetes dhe kjo e bën të paqëndrueshëm, por në thelb nuk kam asnjë gjë me të.

Fevziu: Merreshit vesh?

Rama: O jam marr vesh shkëlqyeshëm, o nuk jam marr vesh fare, nuk kam pas asnjë periudhë kur as jam marr vesh e as nuk jam marr vesh. O jam marr vesh shkëlqyeshëm, o nuk jam marr vesh. Ai është dy veta. Varet se cilin Ilir të bie radha të kesh përballë në atë moment kur ke një çështje për të trajtuar.

Edi Rama: Çfarë merite i njoh Sali Berishës

Kryeministri Edi Rama shprehet se Sali Berishës i njeh vetëm një meritë. Dhe kjo është në aspektin e lidershipit, ndërsa për të thotë se pushtetin e sheh si qëllim.

Blendi Fevziu: Po me Berishën që e keni patur konstante përplasjen, çfarë mendimi keni? Jo duke e parë si kundërshtar politik?

Kryeministri Edi Rama: Saliu është tipiku i pushtetit si qëllim, jo si mjet për të arritur qëllimin. Kjo e ka penguar jashtëzakonisht shumë…

Blendi Fevziu: A i njihni ndonjë gjë pozitive Berishës?

Kryeministri Edi Rama: Në aspektin e punëve, vështirë. Në aspektin e metodës, vështirë. Në aspektin e lidershipit, po.

Blendi Fevziu: Ç’do me thënë në aspektin e lidershipit?

Kryeministri Edi Rama: Ka qenë dhe është….tani më mirë të mos flasin se është në rënie të lirë, por karizmatik, shumë i vendosur dhe mbi të gjitha shumë i aftë për të shkuar drejt objektivit dhe për të mos u hallakatur gjatë rrugës. Pra është shumë më tepër strategjik se sa taktik, në aspektin e natyrës së lidershipit dhe kjo e ka bërë që të jetë dominant në një periudhë të gjatë në partinë e tij, por të jetë dominant edhe në këtë periudhë të historisë e madje të ketë dominancë edhe kur nuk ka patur pushtet.