Holanda është edhe për këtë vit investitori më i madh i huaj në Shqipëri.
Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se për 9-mujorin 2020 investimet holandeze arritën vlerën e 184 milionë eurove, vlerë kjo që përbën rreth 27% të fluksit total të investimeve të huaja gjatë periudhës. Vlera e investimeve holandeze ka rënë me 7.5% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Investimet holandeze lidhen në pjesën më të madhe kompaninë Statkraft Markets BV, pronare e shoqërisë Devoll Hydropower. Megjithëse kompania mëmë Statkraft është norvegjeze, kontrolli i Devoll Hydropower bëhet përmes një shoqërie të regjistruar në Hollandë. Për këtë arsye, zyrtarisht investimet e kësaj ndërmarrjeje në Shqipëri figurojnë si holandeze.
Holanda është një nga vendet e preferuara në Europë për të regjistruar kompani offshore, ndaj edhe biznese të tjera në Shqipëri kontrollohen përmes kompanive të regjistruara aty. Shembuj të tillë janë Vodafone Albania, Spitali Amerikan, si edhe disa prej kompanive me interesa në fushën e koncesioneve dhe pas të cilëve qëndrojnë aksionerë shqiptarë.
Investitori i dytë më i madhe dhe këtë vit është Zvicra, me 164 milionë euro ose 8.6% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ecuria e investimeve zvicerane përgjithësisht ka qenë e lidhur me investimin e gazsjellësit TAP, shoqëri shumëkombëshe por e regjistruar në Zvicër. Edhe Zvicra është destinacion i përdorur shpesh për shoqëri offshore. Kompania që zotëron rafinerinë e Ballshit, Allum Enterprises, gjithashtu kontrollohet nga një aksioner i regjistruar në Zvicër.
Italia është investitori i tretë më i madh, me një fluks total prej 77 milionë eurosh gjatë 9 muajve të këtij viti. Investimet italiane kanë rënë me gati 20 milionë euro ndaj të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Ndryshe nga investimet zvicerane apo holandeze, të përqendruara në pak ndërmarrje dhe sektorë strategjikë, investimet italiane janë më të shpërndara nga këndvështrimi sektorial, por përqendrohen sidomos në degët e shërbimeve, përfshi banka, kompani call center, etj.
Në rritje për këtë vit paraqiten investimet turke, që për nëntë muaj kishin vlerën e 69 milionë euro ose 60% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Ndërmarrjet më të rëndësishme turke në Shqipëri janë grupi Çalik te Banka Kombëtare Tregtare dhe BKT, kompania e ndërtimit Limak dhe ajo energjetikës Ayen Enerji.
Rritje të lehtë këtë vit shënuan edhe investimet austriake, që arritën në 39 milionë euro, tre milionë euro më shumë krahasuar me një vit më parë. Investimet austriake në Shqipëri janë të përqendruara sidomos në tregun e sigurimeve, me grupet Uniqa dhe Vienna Insurance Group dhe në sektorin e ndërtimit, me kompaninë Strabag.
Franca për 9-mujorin 2020 regjistroi një fluks total investimesh prej 29 milionë euro, në rënie me 34% krahasuar me një vit më parë. Aktivitetet më të rëndësishme me kapital francez në Shqipëri janë kompania e prodhimit të dokumenteve të identifikimit ALEAT, miniera e bitumit në Selenicë. Megjithatë, në vitet e fundit investimet kanë ardhur kryesisht nga kompani ndërtimi që kanë punuar si nënkontraktorë të gazsjellësit TAP. /Monitor