Presidenti amerikan, Donald Trump, dekoroi me medaljen e Sigurisë Kombëtare të dërguarin e tij të posaçëm për bisedimet e paqes Kosovë-Serbi, Richard Grenell.
Në motivacionin e presidentit vlerësohet “kontributi i jashtëzakonshëm” i ambasadorit Grenell “që mundësoi nënshkrimin historik të normalizimit të marrëdhënieve ekonomike ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. Me këtë marrëveshje, Serbia dhe Kosova rivendosën lidhjet e drejtpërdrejta ajrore, hekurudhore dhe autostradën, projektet kryesore të infrastrukturës të nevojshme për të lehtësuar rritjen ekonomike dhe lëvizjen e mallrave dhe njerëzve. Kjo marrëveshje është një hap i rëndësishëm drejt ndërtimit të një Evrope më paqësore, të sigurt dhe më të përparuar”, thuhet mes të tjerash në vendimin e presidentit të cilin e shpërndau në rrjetete sociale ambasadori Grenell.
Më 4 shtator në Shtëpinë e Bardhë, Kosova dhe Serbia nënshkruan një dakordim për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike në praninë e presidentit, Donald Trump, i cili tha se “pas një historie të dhunshme dhe tragjike dhe vitesh negociatash të dështuara, administrata ime propozoi një mënyrë të re për të kapërcyer ndarjen… Duke u përqendruar në krijimin e vendeve të punës dhe rritjen ekonomike, të dy vendet ishin në gjendje të arrijnë një përparim të vërtetë në bashkëpunimin ekonomik për një gamë të gjerë çështjesh”.
Ambasadori Grenell u emërua i dërguar i posaçëm në vitin 2019 ndërsa shërbente si ambasador i Shteteve të Bashkuara në Berlin.
Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, pas marrëveshjes së 4 shtatorit nderoi me urdhrin më të lartë shtetëror – Urdhrin e Lirisë – presidentin Donald Trump, në shenjë mirënjohjeje për kontributin e tij për lirinë e Kosovës, forcimin e paqes dhe qëndrueshmërisë në rajon.