Aktualitet Plan filmash/ Kapet në Peru bosi shqiptar i shumëkërkuar. Si futej droga...

Plan filmash/ Kapet në Peru bosi shqiptar i shumëkërkuar. Si futej droga me polumbarë në anije

Një operacion droge, i mirëmenduar në detaje, por që në fund përfundoi me fitoren e policisë.

Njësia e Drogës dhe Krimit të Organizuar (UDYCO) e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë Kombëtare të Spanjës ka deklaruar se dy zhytës nga marina peruane dhe një ish-detar tregtar janë arrestuar, pasi u përpoqën të shkarkonin një arkë me kokainë, që ishte fshehur në helikat nënujore të një anije tregtare, e cila vinte nga Callao. Personat në fjalë udhëtuan në portin e Avilés, në Asturias, për të hedhur në zbatim planin brilant, por përfunduan në prangat e policisë.

Të arrestuarit

Të arrestuarit peruanë u identifikuan si Meneses López, Edgar Sotomayor Urcuhuaranga dhe Luis Vasconsuelo Rodrigo. Teksa ata shkarkonin drogën, shtetasi shqiptar Auron Dule po i priste në një automjet. Bëhej fjalë për 72 kilogramë lëndë narkotike.

Mediat e huaja deklarojnë se Víctor Meneses López dhe Edgard Sotomayor ishin teknikë zhytjeje dhe shpëtimi që punonin për Marinën Peruane. Ata u larguan për në Spanjë në 4 mars të këtij viti. Në plan të parë dukej se kishin shkuar me pushime, por në të vërtetë ishin bërë pjesë e një organizatë ndërkombëtare të trafikut të drogës, saktësisht si të infiltruar, në dërgesën me kokainë në anijen Thomas C dhe në shkarkimin e saj në Avilés, një port i njohur për futjen e drogës që vjen nga Amerika e Jugut.

I arrestuari i tretë peruan, Luis Vasconsuelo Rodrigo, është një ish-anëtar i marinës tregtare të Perusë. Policia e antidrogës dyshon se ai mund të jetë personi i ngarkuar me rekrutimin e zhytësve të Marinës për të futur drogë në anijet që udhëtojnë në portet e Evropës.

Luis Vasconsuelo u largua nga Peruja pak para bashkëpunëtorëve të tij Víctor Meneses dhe Edgard Sotomayor, saktësisht më 24 shkurt të këtij viti, duke u drejtuar për në Amsterdam, Holandë. Për shkak të disa udhëtimeve që Vasconsuelo ka bërë midis viteve 2018 dhe 2019 në Kolumbi, Meksikë, Brazil dhe Panama, autoritetet e antinarkotikëve nuk përjashtojnë mundësinë që roli i tij të ketë qenë si koordinator i disa dërgesave të kokainës në Evropë.

Prania e shqiptarit Auron Dule ka tërhequr vëmendjen e zyrtarëve të UDYCO-së, sepse ai është një person që kërkohej ndërkombëtarisht për përfshirje në një organizatë ndërkombëtare, që shpërndan kokainë në Europën Lindore.