Babë e bir, me origjinë shqiptare që jetojnë në Kretë të Greqisë, dolën sot para gjykatës veç e veç për t’u njohur me masën e sigurisë pas vrasjes së 26-vjeçarit.
Babai 55-vjeçar akuzohet se vrau djalin e tij 26-vjeçar. Ndërsa djali tjetër më i vogël, 24 vjeç, mori pjesë në këtë krim.
Nëna e viktimës ka thënë para hetuesve në dëshminë e saj, se djali iu vra për arsye krejt banale. Ngjarja ndodhi ditën e Krishtlindjes. Sikurse ka thënë, gjithçka nisi si zakonisht në një atmosferë festive. Më pas, ka deklaruar ajo, në shtëpinë e tyre shkoi edhe e dashura e djalit të vogël 24-vjeçar.
Babai i kërkoi 26-vjeçarit që t’i jepte vëllait laptopin për të zgjedhur muzikën që donte të dëgjonte. 26-vjeçari reagoi ashpër dhe u largua nga shtëpia. Vëllai i tij e ndoqi nga pas dhe filluan të grindeshin.
Pas tyre shkoi menjëherë babai dhe u përfshi në sherr, duke goditur me thikë djalin e madh. 26-vjeçari ishte goditur 7 herë me thikë dhe kishte humbur shumë gjak. Ai u dërgua në spital në gjendje të rëndë, por fatkeqësisht ndërroi jetë si pasojë e gjakderdhjes.
Sipas dëshmisë së nënës, kur në banesë u kthye djali i vogël me duart e gjakosura, kuptoi se çfarë kishte ndodhur. Ajo doli nga banesa dhe pa në rrugë djalin e saj të therur me thikë, ndërsa aty qëndronte edhe bashkëshorti i saj që kishte vrarë djalin e tij.
Familja u mundua fillimisht të fshehte ngjarjen, duke pretenduar se djali i tyre ishte sulmuar dhe goditur me thikë nga një person tjetër i panjohur. Por, gjatë marrjes në pyetje, ishte nëna që filloi të tregonte se çfarë kishte ndodhur, dhe pastaj vëllai i viktimës që konfirmoi versionin e ngjarjes.
24-vjeçari u paraqit sot në gjendje të rëndë psikologjike përpara gjykatës, raportojnë mediat greke, i cili mohon që të ketë marrë pjesë në vrasjen e vëllait.