Bandat shqiptare vijojnë të qëndrojnë në vëmendjen e autoriteteve britanike, pasi aktiviteti i tyre kriminal sa vjen edhe shtohet. Një gjykatës i lartë në Bradford, në Britaninë e Madhe, Richard Mansell, e ka ngritur këtë shqetësim duke duke bërë edhe pyetjen: “Pse shqiptarët, të cilët kanë hyrë ilegalisht në Britani dhe janë kapur duke kultivuar kanabis në ferma kanë mundësi financiare të përfaqësohen në gjyqe me avokatë privatë?”
Mediat britanike raportojnë se ky shqetësim është ngritur pasi, gjykatësi Mansell refuzoi të revokonte urdhrin e avokatit të një të riu shqiptar, Agzon Kortoci, 19 vjeç. Ndërkohë, avokati i 19-vjeçarit është shprehur se i mbrojturi prej tij është trafikuar në Britani dhe ka qenë i detyruar të punojë për një bandë kriminale.
Por gjykatësi e pyeti se si mund të ndodhte që Kortoci dhe të tjerët në një pozicion të ngjashëm, të cilët ishin futur në vend të fshehur nëpër kamionë, për një jetë më të mirë, kanë mundësi të paguajnë fatura të shtrenjta për mbrojtje ligjore. “Ka diçka shumë, shumë shqetësuese në lidhje me këtë”, ka thënë gjykatësi.
Sipas tij, ose familjarët e tyre kanë para që i kanë marrë nga aktivitetet e paligjshme të fëmijëve të tyre, ose janë vet bandat kriminale që investojnë. “Unë jam duke referuar disa raste për të parë se çfarë po ndodh këtu”, vijon ai.
Kohët e fundit ka pasur një varg aksionesh policore në zonën e Bradfordit, ku janë ngritur ferma kanabisi dhe janë arrestuar shumë të rinj. Në fillim të këtij viti, një hetim i një gazete kombëtare pretendoi se drejtuesit e bandave shqiptare të drogës trafikonin në Britani të Madhe njerëz të pambrojtur, duke përfshirë fëmijë, të cilët detyrohen të skllavërohen në tregun e drogës.
Shqiptarët arrijnë të futen ilegalisht në Britaninë e Madhe të fshehur për orë të tëra nëpër kamione ose duke siguruar pasaporta false të vendeve anëtare të Bashkimit Europian.