Aktualitet Yuri Kim takon anëtarët e KPK: Duhet të përballojnë presionin në emër...

Yuri Kim takon anëtarët e KPK: Duhet të përballojnë presionin në emër të drejtësisë

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Yuri Kim, ka zhvilluar sot një takim me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit.

Lajmi bëhet i ditur nga vetë kryediplomatja e SHBA me një shënim në Twitter. Ajo thekson se ka falënderuar këtë institucion për punën e bërë deri tani, pavarësisht vështirësive që ka hasur për shkak të pandemisë së Covid-19.

Ambasadorja Yuri Kim thotë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës e mbështesin fuqimisht pavarësinë dhe integritetin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.

“Pata një takim me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, ku folëm hapur mbi presionin dhe sfidat që iu duhet të përballojnë. I falënderova për punën këtë vit, që vazhdoi pavarësisht Covid. SHBA mbështet, madje këmbëngul për pavarësinë dhe integritetin e KPK-së në emër të drejtësisë në Shqipëri”, shkruan Yuri Kim.

Kryediplomatja e SHBA ka qenë një zë aktiv në lidhje me zhvillimet e ndodhura në Shqipëri sa i përket fushës së drejtësisë dhe zbatimit të ligjit.

Kim ka nxitur vazhdimisht autoritetet në Shqipëri për të bërë funksionale organin e Gjykatës Kushtetuese brenda 2020, gjë e cila ndodhi pak ditë më parë.