Presidentja në detyrë e Kosovës, Vjosa Osmani, deklaroi se sipas të gjitha gjasave, vaksinat do të vijnë në vend pas muajit prill.
“Mendoj që kemi vonesa të cilat nuk do të duhej të arsyetoheshin. Shtetet e tjera të rajonit janë para nesh, prandaj ne duhet të kërkojmë dhe do të kërkojmë përgjegjësi nga qeveria se pse ne nuk jemi të përgatitur dhe pritet që, sipas të gjitha gjasave, vaksinat të vijnë diku tek pas prillit”, u shpreh Osmani.
Osmani shtoi se pret që Kosova të sigurojë vaksina edhe nga disa shtete të Bashkimit Evropian, përveçse nga vaksinat e programit COVAX të Organizatës Botërore të Shëndetësisë.
Osmani ka komentuar edhe hyrjen e vaksinave kundër koronavirusit nga Serbia në komunat në veri të Kosovës, duke e cilësuar këtë një shkelje të marrëveshjeve të arritura në kuadër të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.