Politika Basha me delegacionin e PDK-së: Diplomacia shqiptare të jetë në dispozicion të...

Basha me delegacionin e PDK-së: Diplomacia shqiptare të jetë në dispozicion të Kosovës

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka zhvilluar një takim me delegacionin e Partisë Demokratike të Kosovës, që po zhvillojnë një vizitë në Tiranë. Basha në fjalën e tij u shpreh se Shqipëria duhet të mbështesë Kosovën, politika të ketë qëndrime të unifikuara dhe  se “diplomacia shqiptare duhet të jetë tërësisht në dispozicion dhe në mbështetje të Kosovës”.

“Sot kemi diskutuar për sfidat përballë të cilave ndodhet Kosova. Sfida që janë të përbashkëta dhe kam përsëritur qëndrimin tim të palëkundur që kontributi më i madh që Shqipëria mund të japë është të qëndrojë përkrah Kosovës, duke bërë thirrje për një qëndrim të unifikuar faktorëve politik. Duke braktisur çdo axhendë apo synim për keqpërdorim personal të sfidave më të cilat përballet Kosova. Dhe dukje unifikuar vullnetet tona për të dalë edhe njëherë triumfues mbi këto sfida”, u shpreh ai.

Më tej numri një i opozitës tha se Kosova dhe Serbia duhet të kenë njohje të ndërsjelltë, dhe Shqipëria të ndihmojë Kosovën për sfidat e saj të integrimit në organizata ndërkombëtare.

“Duhet insistuar në njohjen e ndërsjelltë me Serbinë si parakusht për proceset stabilizuese dhe integruese në Ballkant. Duhet të insistojmë për heqjen e vizave për Kosovën dhe për integrimin në NATO dhe në Bashkimin Evropian”, tha Basha.

Në fund tha se procesi i nisur në Gjykatën Speciale nuk mund të kthehet një proces kundër shtetit të Kosovës dhe të gjithë Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.