Parlamenti do të nisë seancën e parë për këtë sesion në datë 4 Janar 2021, në një mbledhje të jashtëzakonshme të kërkuar nga Kryeministri Edi Rama.
Kreu i qeverisë i ka dërguar një letër kryeparlamentarit Gramoz Ruçi, ku i kërkon mbledhjen e Kuvendit me qëllim për të votuar ndryshimet e bëra në kabinetin qeveritar.
Bëhet fjalë për largimin nga posti i ministrit të Jashtëm në detyrë Gent Cakaj dhe emërimin në vend të tij të Olta Xhaçkës.
Ndërsa vendin e ministrit të Mbrojtjes do ta zërë Niko Peleshi, i cili është rikthyer në qeveri. Këto ndryshime janë dekretuar nga Presidenti Ilir Meta dhe tani është radha e Parlamentit që të miratojë dekretet.
Në rendin e ditës për datën 4 Janar, është përcaktuar që Kuvendi do të votojë për shkarkimin nga detyra të Gent Cakajt dhe për emërimin e Olta Xhaçkës si ministre të Jashtme.
Po kështu, deputetët do të votojnë për shkarkimin e Olta Xhaçkës nga posti i ministres së Mbrojtjes dhe emërimin në këtë detyrë të Niko Peleshit.