Aktualitet Festë dhe leje drejtimi të pezulluara, policia: Mos abuzoni, do të jemi...

Festë dhe leje drejtimi të pezulluara, policia: Mos abuzoni, do të jemi prezentë kudo

Drejtoria e Policisë Rrugore ka marrë masa për monitorimin e akseve rrugore nacionale në këto ditë festive. Mësohet se prej mëngjesit të sotëm e deri më tani në të gjithë vendin janë pezulluar 34 leje drejtimi për shpejtësi tej normave të lejuara dhe 28 për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit.

Sipas autoriteteve lëvizjet në akset rrugore janë të shtuara për shkak se kemi të bëjmë edhe me fundjavë.

“Në këtë kuadër, Drejtoria e Policisë Rrugore ka marrë masa për monitorimin e pandërprerë të akseve rrugore nacionale. Aktualisht në akset kryesore të vendit, Policia është duke përdorur 6 radarë”, thuhet në një njoftim.

Kontrollet janë përqendruar edhe në brendësi të qyteteve dhe në akset kryesore rurale duke përdorur dhjetëra akooltestues, me qëllim parandalimin e drejtimit të mjetit nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur.

Policia Rrugore apelon për të gjithë drejtuesit e mjeteve, që të mos abuzojnë me shpejtësinë dhe alkoolin në timon, shoferët të kujdesen për jetën e tyre dhe të përdoruesve të tjerë të rrugës.

“Policia Rrugore do jetë prezente kudo, me radarë e dragera, jo për të shtuar numrin e gjobave, por për të parandaluar kërcënimin e jetës në rrugë, nga këta drejtues mjetesh që abuzojnë me rregullat dhe normat e sjelljes në rrugë. Gëzuar Vitin e Ri, festoni, shijoni fundjavën, por duke respektuar rregullat e qarkullimit rrugor, me qëllim mbrojtjen e jetës suaj dhe të përdoruesve të tjerë të rrugës”, thuhet në njoftim.