Mauricio Pochettino është zyrtarisht trajneri i ri i PSG-së. Klubi francez e ka bërë të ditur lajmin me anë të kanaleve të tij zyrtare në rrjetet sociale. Trajneri argjentinas kishte mbërritur që dje në Paris, pasi kaloi festat e fundvitit në Londër, ku vazhdonte të qëndronte bashkë me familjen edhe pas shkarkimit nga Totenhemi në nëntor.
Pochettino, 48 vjeç, shoqërohej nga dy zëvendësit e tij, Jesus Perez dhe Miguel D’Agostino, si dhe nga djali Sebastiano, i cili do të jetë në stafin e ardhshëm të PSG-së. Trajneri i ri do të prezantohet me futbollistët të dielën, në “Camp des Loges”. Ndeshja e radhës për PSG-në është ajo e së mërkurës ndaj Saint-Etien, e vlefshme për kampionatin.
Klubi francez pritet që të bëjë edhe një merkato të fuqishme në janar. Pasi të ketë sistemuar disa lojtarë, si Julian Draxler, Leandro Paredes, Idrissa Gueye, Ander Herrera dhe Thilo Kehrer, do të tentohen dy të preferuarit e trajnerit Poketino, Christian Eriksen dhe Dele Alli.
“Jam jashtëzakonisht i lumtur dhe i nderuar që do të jem trajner i PSG-së, – ka thënë trajneri argjentinas për fazën zyrtare të klubit. – Falënderoj drejtuesit për besimin. Siç e dinë të gjithë, ky klub ka një vend special në zemrën time. Kam kujtime të mrekullueshme, veçanërisht nga atmosfera unike që krijohet në “Parc de Princes”.
Kthehem me ambicie dhe përulësi, si dhe me një dëshirë të madhe për të punuar me disa nga lojtarët më të talentuar në botë. Kjo skuadër ka një potencial fantastik dhe do të jap gjithçka bashkë me stafin për të pasur sukses në të gjitha kompeticionet. Do të japim gjithçka për t’i dhënë skuadrës atë identitetin e lojës luftarake dhe sulmuese që tifozët kanë dashur gjithmonë”.