Operacioni Forca e Ligjit nuk do të kërkojë më llogari mbi burimin e pasurisë së personave problematikë me të shkuar kriminale, të dënuar ose të akuzuar për vepra të rënda penale dhe krim të organizuar. Prej 1 Janarit të 2021, OFL do të pushojë së ekzistuari, kjo pasi aktit normativ mbi të cilin ai funksiononte nuk iu zgjat afati.
Tashmë do të vazhdojë hetimi ose verifikimi pasuror vetëm në bazë të ligjit antimafia për ata individë që plotësojnë këto kushte. I vetmi ndryshim i miratuar nga qeveria është ai i datës 16 Dhjetor, që parashikon shqyrtimin e të gjitha çështjeve që tashmë kanë mbërritur në gjykatë dhe në SPAK.
Nga nisja e këtij operacioni në Shkurt të vitit të kaluar deri në 31 Dhjetor, 589 persona kanë plotësuar formularin e deklarimit të pasurisë, ndërsa janë evidentuar rreth 1550 pasuri.
Mësohet se për 69 individë është pushuar hetimi, pasi nga verifikimet kanë rezultuar se nuk disponojnë asnjë pasuri. Deri tani në gjykatën e Posaçme, prokuroria ka dorëzuar 120 çështje që pritet të shqyrtohen gjatë këtij viti.
Edhe pse SPAK ka kërkuar konfiskim e 45 pasurive, gjykata ka vendosur që vetëm 11 prej tyre të kalojnë në favor të Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara.
Ndërsa janë ende në fazë shqyrtimi edhe 56 kërkesa të tjera për konfiskim pasurie. Togat e zeza kanë hequr sekuestron për të paktën 9 pasuri, pasi nga verifikimet ka rezultuar se janë krijuar në mënyrë të ligjshme dhe jo nga të ardhura që rrjedhin nga aktivitetit kriminal, raporton Tv Klan.