Presidenti Ilir Meta, këtë të martë, është ndalur të citojë raportin e vitit 2020 të Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim. Sipas këtij raporti, Shqipëria renditet e 4-ta në botë për emigracionin e personave me aftësi të larta në punë dhe e 8-ta në botë për normën e largimit të intelektualëve.
Rekord i zi ky për Metën, sipas të cilit, largimi i “ajkës” së shoqërisë nga vendi, tregon se nga Shqipëria po largohen edhe qytetarët që kanë një standard të mirë jetese.
“Largimi i “ajkës” së shoqërisë, është një tjetër tregues i dhimbshëm se nga Shqipëria po largohen edhe qytetarët, që kanë një standard të mirë jetese, marrin një pagesë të kënaqshme dhe kanë një pronë, por për të cilët niveli i shërbimeve publike është i papranueshëm, ndjehen pa zë, të papërfaqësuar, të pafuqishëm për të ndryshuar gjendjen në vend dhe të pashpresë për të ardhmen e fëmijëve të tyre”, tha ai.
Si zgjidhje, Presidenti shesh zgjedhjet e 25 Prillit. Kjo datë, për kreun e shtetit do të jetë vendimtare për dekadat që vijnë për Shqipërinë.
“Referendumi i 25 prillit 2021 është vendimtar për të ardhmen e Shqipërisë, jo vetëm për 4 vite, por për dekadat që vijnë. Është një mundësi për të rikthyer standardet cilësore të shërbimeve, respektin dhe dinjitetin njerëzor, për ta bërë Shqipërinë një vend të jetueshëm për të gjithë, me mundësi dhe shpresa të reja, veçanërisht për rininë. Me shpresë dhe besim, të bashkohemi e të marrim në dorë fatet tona për të ndryshuar këtë realitet, që po shkatërron familjet dhe po plak Shqipërinë, për të ndërtuar këtu të ardhmen e sigurtë dhe europiane për të gjithë”, shkruan Meta.