Kryeministri Rama do jetë në Turqi më datë 6 dhe 7 janar, në një vizitë zyrtare me ftesë të mikut të tij presidentit turk Rexhep Taip Erdogan. Vizita do jetë e nivelit qeveritar dhe në të, siç thuhet zyrtarisht, do diskutohen raporte bilaterale mes dy vendeve.
Rama do takojë Erdoganin në Ankara, ndërkohë që raportet mes tyre janë deri në nivel vëllazëror e familjar.
Prej kohësh, presidenti turk ka zhbërë të gjitha spektin protokollar ndaj kryeministrit shqiptar, duke i dhënë statusin e “mikut të shtëpisë”.
Një ditë para kësaj vizite, Rama është telefonuar nga ministri i Jashtëm grek Nikos Dendias. Ky i fundit shkroi në Twitter se kishte biseduar me Ramën “për zhvillimet e fundit në rajon”.
Sakaq, vizita e Ramës te Erdogan pritet të ketë dhe një detaj tjetër: praninë në delegacionin shqiptar të të birit të George Soros, Aleksit.
Ky i fundit, jo me status zyrtar, ka shprehur dëshirën që të njihet nga afër me liderin turk, e kjo vizitë është parë si mundësi për diçka të tillë.
Erdogan nga ana e tij e ka pranuar këtë kërkesë, pavarësisht raporteve të ftohta me miliarderin dhe filantropin amerikan.