Milani vijon të bëjë paraqitje të jashtëzakonshme në kampionat dhe kryeson renditjen e Serisë A, ndërsa nesër në mbrëmje do të përballet me kampionët në fuqi, Juventusin në “San Siro”.
Trajneri Stefano Pioli doli sot në konferencën e zakonshme për shtyp, ku ashtu si Andrea Pirlo u mundua të zbehë rëndësinë e sfidës me bardhezinjtë, pasi pranoi se skuadra e tij po luan shumë mirë, por theksoi se kampionati ka edhe shumë javë deri në fund.
“Juventus është një skuadër në rritje, me lojtarë që bëjnë diferencën dhe që vendosen mirë në fushë, ndaj do të jetë një takim i vështirë. Ne kemi treguar deri tani se jemi më të fortët, por është ende herët, pasi renditjen do ta shohim vetëm në prill. Nuk është një ndeshje vendimtare, pasi kampionati është shumë i gjatë, por është një sfidë që duam ta fitojmë”, deklaroi Pioli.
Tekniku i kuqezinjve pranoi se Zlatan Ibrahimoviç nuk do të jetë në dispozicion as për këtë ndeshje, ndonëse ka rinisur stërvitjen, ndërsa theksoi se beson plotësisht në aftësitë e Kruniç.
“Pavarësisht postimit në rrjetet sociale, Ibra nuk do të jetë në dispozicion për ndeshjen e nesërme. Ka rinisur stërvitjen, por nuk është në formë dhe nuk do ta rrezikojmë. Te Kruniç besojmë plotësisht dhe jam i bindur që do bëjë një ndeshje të madhe nesër, por kemi edhe plan B në mesfushë”, u shpreh trajneri i Milanit.