Kryeministri Edi Rama, me ftesë të Presidentit turk Rexhep Taip Erdogan, ka nisur një vizitë 2-ditore në Turqi.
Përmes një statusi në Facebook kryeministri ka ndarë momente nga mbërritja në Ankara, ku është pritur me ceremoni zyrtare.
“Në vizitë zyrtare me ftesë të Presidentit Erdogan, për të hapur një kapitull të ri bashkëpunimi mes dy qeverive dhe nënshkruar një sërë marrëveshjesh me rëndësi në kuadrin e partneritetit tonë strategjik”, shkruan kryeministri Rama.
Kjo është vizita e dytë e kryeministrit Rama në Ankara pesë muaj pas vizitës së tij më të fundit.
Në muajin shtator 2020, ai zhvilloi një takim me presidentin Erdogan teksa Shqipëria kryesonte edhe presidencën e OSBE-së dhe Ankaraja kishte marrëdhënie të tensionuara me Athinën për çështjen e shfrytëzimit dhe ndarjen e ujërave territoriale.
Sipas zyrës për shtyp të Kryeministrisë, gjatë vizitës dyditore të radhës, pritet të ketë diskutime për marrëdhëniet mes dy vendeve si dhe do të shkëmbehen mendime mbi zhvillimet aktuale rajonale dhe ndërkombëtare.
Vlen të thuhet se përpara kësaj vizite Rama ka pasur një bisedë telefonike me ministrin e Jashtëm të Greqisë Nikos Dendias. Telefonatën e bëri me dije vetë ministri grek përmes një postimi në Twitter ku tha se kishte biseduar mbi çështjet rajonale.
Gjatë pesë viteve të fundit, Rama ka zhvilluar disa herë vizita në Turqi, ndërsa Erdogan vizitoi Tiranën në vitin 2015 duke e cilësuar marrëdhënien mes dy vendeve si “marrëdhënie vëllazërore”.