Mosha mesatare e personave të konfirmuar në vendin tonë me Covid është 48.7 vjeç. Drejtuesja e ISHP-së, Albana Fico, tha se moshat që janë infektuar me virusin Covid-19 vijojnë nga foshnjet dy muajshe deri në moshën 98-vjeçare.
Grupmosha me numrin më të lartë të rasteve është ajo 55-64 vjeç, por me shqetësim ekspertët shohin edhe moshën 25-34 vjeç të cilët zënë vendin e dytë sa i përket grupmoshave të infektuar.
Një apel të veçantë, Fico e pati pikërisht për të rinjtë që të zbatojnë masat.
“Mosha mesatare e rasteve të konfirmuar është 48.7 vjeç dhe intervali është nga 2 muaj në 98 vjeç. Vendin më të rëndësishëm të rasteve të konfirmuara e zë grupmosha 55-64 vjeç me 20% të rasteve të konfirmuara e ndjekur nga grupmosha 25-34 vjeç me 18% të rasteve të konfirmuara dhe grupmosha 45-54 vjeç me 17% të rasteve. Vihet re që ka një rritje në grupmoshën 25-34 ndaj gjejmë rastin të bëjmë një apel tek të rinjtë, të zbatojmë masat, të mos grumbullohen pasi kjo përkthehet në raste infektimi”, tha Fico.
Nga vlerësimi i incidencës sipas qarqeve, në vend të parë qëndron Gjirokastra, e ndjekur nga Tirana dhe më pas nga Lezha.
“Vetëm gjatë javës së fundit niveli i incidencës është ulur dhe është në vlerën 110 raste për 100.000 banorë. Incidenca e rasteve me COVID-19 për Shqipërinë është 227 raste për 100,000 banorë krahasuar me dy javët e mëparshme 9-22 Dhjetor ku incidenca e rasteve me COVID-19 ishte 330 raste për 100,000 banorë”, tha Fico.