Në një intervistë për Wake Up, Erida Nelaj, shefe e sektorit të vaksinimit në Institutin e Shëndetit Publik, thotë se “vaksina e Pfizer/Bio NTech, ka qenë një sfidë në gjithë botën”.
Në lidhje me pyetjen se pse u përzgjodh pikërisht një ambient si stadiumi, për krijimin e qendrës së parë anti-Covid, ajo u shpreh:
“Është e rëndësishme fillimisht ruajtja në temperaturë -18 gradë dhe ne jemi të qetë sepse i kemi tashmë kapacitetet për t’i ruajtur ato si duhet.
Vaksina mund të përdoret deri në 5 ditë dhe kërkon grumbullim njerëzish, në mënyrë që dozat të mos shkojnë dëm dhe ne nuk mund t’i grumbullonim njerëzit në një qendër shëndetësore.”
Pra, duhej një ambient i hapur dhe “dhomë pritjeje” spitali s’do ishte zgjidhja e duhur.
Znj. Nelaj thotë se si me vaksinat e tjera, edhe në këtë rast, me një ampulë mund të vaksinohen disa persona.
“Teorikisht, përmban 6 doza, por duke llogaritur dhe humbjet dalin 5 doza”.
Nga rreth 20.000 njerëz, që janë pjesë e personelit shëndetësor, të parët që do vaksinohen janë përafërsisht 4000.
“Kjo, sepse në 10.000 dozat e para duhet të kemi parasysh që vaksinimi kërkon dy doza dhe ne duhet të zbatojmë protokollin, që do të thotë: Të vaksinohen 5000 veta dhe të ruhen 5000 doza, që janë menduar për të moshuarit që jetojnë në shtëpi kujdesi së bashku me stafin në këto vende.
“Ndërkohë që gjatë shkurtit vjen sasia tjetër, me 30.000 doza dhe do të hyjnë grupet e tjera, sërish të moshuarit 75-80 vjeç dhe më pas, gradualisht do të ulet niveli i grup-moshave.”
Prioritet do të vazhdojnë të kenë të sëmurët kronikë.
Pas 500.000 dozave të siguruara nga Pfizer, Erida Nelaj thotë se do të merren dhe doza të tjera nga Covax, që mund të jenë si “Pfizer ose si Moderna, nuk e dimë ende”.
Ndërkohë, në muajin shkurt, pritet të vijnë dhe 30.000 doza të tjera.