Elon Musk është zyrtarisht njeriu më i pasur në botë, duke lënë pas themeluesin e Amazon, Jeff Bezos.
Rritja e aksioneve të Teslas ditën e sotme me 6%, bëri që pasuria e Musk të tejkalojë atë të Bezos.
Tashmë biznesmeni i Tesla dhe SpaceX vlen plot 191 miliardë Dollarë. Ndërsa pasuria e Jeff Bezos vlerësohet 187 miliardë dollarë. Të dhënat janë bërë të ditura nga Bloomberg.
Në vend të tretë në listën e personave më të pasur në botë është Bill Gates me 132 miliardë dollarë.
Përgjatë vitit 2020, aksionet e kompanisë Amazon të themeluar nga Jeff Bezos u rritën me 75 miliardë Dollarë për shkak të shitjeve online të nxitura nga kufizimet e pandemisë.
Por kjo shifër nuk është asgjë krahasuar me rritjen prej 106 miliardë dollarë që pësuan aksionet e kompanisë Tesla të zotëruar nga Elon Musk.
Ky i fundit kaloi Bill Gates për nga pasuria në muajin Nëntor 2020 duke u ngjitur në vend të dytë në shkallë globale. Por u desh pak kohë që Musk të kapte vendin e parë të tabelës, kur sot aksionet e tij në Tesla u rritën me 10 miliardë dollarë.