Aktori i famshëm dhe ish-guvernatori republikan i Kalifornisë, Arnold Schwarzenegger, krahasoi presidentin Donald Trump me Adolf Hitlerin, në një videomesazh të publikuar në rrjetet e tij sociale, duke mbajtur në një moment në dorë edhe shpatën e “Conan”, një prej roleve të luajtur prej tij.
Duke bërë thirrje për bashkim, pas ngjarjeve të shëmtuara në godinën e Kongresit amerikan, Schwarzenegger, i vetmi nga republikanët që akuzon ashpër publikisht presidentin në detyrë e quajti Trump-in presidentin më të keq të historisë së Amerikës.
“Unë jam rritur në Austri dhe e mbaj mend mirë Kristallnacht-in, natën e xhamave të thyer. Ishte një natë tërbimi kundër hebrenjve në vitin 1938, nga grupi nazist ekuivalent me “Proud Boys”. E mërkura ishte dita e xhamave të thyer mu këtu në SHBA”, thotë Schwarzenegger. “Turma nuk shpartalloi vetëm xhamat e Kapitolit, por edhe ide që në i merrnim si të mirëqena. Parimet mbi të cilat shteti ynë është themeluar”.
Aktori rrëfeu për herë të parë se babai e kishte dhunuar kur ishte i vogël, për shkak se dehej disa herë në javë nga ndjenja e fajit që kishte për bashkëpunimin me nazistët, si shumë fqinj të tjerë të tij.
“Presidenti Trump kërkoi të përmbyste rezultatin e zgjedhjeve, të ndershme. Ai nxiti një grusht shteti duke i mashtruar njerëzit me gënjeshtra. Edhe im atë e fqinjët tanë u mashtruan dhe unë e di se ku të çojnë këto mashtrime. Presidenti Trump është një udhëheqës i dështuar, do të futet në histori si presidenti më i keq. Por gjëja e mirë është se shumë shpejt, ai do të jetë po aq i parëndësishëm, sa një postim i vjetër në Twitter”.
My message to my fellow Americans and friends around the world following this week’s attack on the Capitol. pic.twitter.com/blOy35LWJ5
— Arnold (@Schwarzenegger) January 10, 2021